Ushtria e Sudanit konfirmon rrëzimin e presidentit Omar Al-Bashir
https://parstoday.ir/sq/news/world-i87110-ushtria_e_sudanit_konfirmon_rrëzimin_e_presidentit_omar_al_bashir
Pas 30 vitesh udhëheqje me dorë të fortë, një grusht shteti i mbështetur edhe nga ushtria e vendit ka çuar në arrestimin e presidentit të Sudanit, Omar al-Bashir. Protestat kundër kreut të shtetit për korrupsionin dhe varfërinë në vend nisën vitin e kaluar, por kulmuan ditët e fundit ku të paktën 22 persona mbetën të vrarë.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Prill 11, 2019 14:55 Europe/Tirane
  • Ushtria e Sudanit konfirmon rrëzimin e presidentit Omar Al-Bashir

Pas 30 vitesh udhëheqje me dorë të fortë, një grusht shteti i mbështetur edhe nga ushtria e vendit ka çuar në arrestimin e presidentit të Sudanit, Omar al-Bashir. Protestat kundër kreut të shtetit për korrupsionin dhe varfërinë në vend nisën vitin e kaluar, por kulmuan ditët e fundit ku të paktën 22 persona mbetën të vrarë.

Mijëra sudanezë u derdhën të enjten në rrugët e kryeqytetit Khartum për të festuar lajmin e arrestimit të presidentit Omar al-Bashir.

Thirrjet për largimin e kreut të shtetit që sundoi Sudanin për gati tre dekada nisën dhjetorin e kaluar kur qeveria njoftoi se çmimet e karburantit dhe të bukës do të rriteshin.

Protesta më vendimtare por fatale, që rezultuan në vrasjen e të paktën 22 personave, filluan të mbahen një javë më parë përpara ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes, ku demonstruesit apelonin ushtrinë për ndërrimin me forcë të pushtetit edhe pse kabineti qeverisës ishte riorganizuar.

Pas një mesazhi të shkurtër televiziv, ku dënohej gjendja e varfërisë dhe e korrupsionit në vend, ministri sudanez i Mbrojtjes informoi se kreu i shtetit po mbahet nën arrest shtëpie, ndërsa janë ndaluar truprojat e rij, së bashku me mbi 100 anëtarë të partisë në pushtet, një ish-ministër dhe zëvendëspresidenti.

Ndërkaq të gjithë të burgosurit politikë janë nxjerrë nga burgu dhe po vijojnë konsultimet për formimin e një këshilli të përkohshëm që do të kujdeset për qeverisjen e vendit në dy vitet e ardhshme.

Ish-ushtaraku 75-vjeçari Al-Bashir ka drejtuar popullin prej 40 milionë banorësh të Sudanit prej vitit 1989, kur ai u zgjodh përmes një grushti shteti të përgjakshëm.

Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ku akuzohet për gjenocid, krime ndaj njerëzimit, shfarosje, spastrim etnik dhe krime lufte.