Ndalohet organizimi i protestave përreth kishës Notre Dame
Qeveria franceze e ka shpallur të ndaluar organizimin e protestave sidomos të jelekverdhëve përreth zonës ku ndodhet kisha Notre Dame.
Hetuesit besojnë se djegia e Katedrales Notre-Dame në Paris u shkaktua nga një qark i shkurtër elektrik. Një zyrtar francez i policisë gjyqësore tha se hetuesit punuan gjatë për të zbuluar ku nisën flakët, pavarësisht se nuk kishin ende leje për të hyrë në kishë për arsye sigurie, shkruan DailyMail. Zyrtari, i cili foli anonimisht, tha se monumenti ende po konsolidohet me dërrasa druri për të siguruar disa pjesë të brishta të mureve. Vetëm pasi të jetë plotësisht i sigurt, hetuesit do të lejohen të shikojnë më nga afër në mënyrë që të përcaktojnë me saktësi shkaktarin e zjarrit. Katedralja e Notre-Dame u dogj në fillim të kësaj jave (15 prill 2019). Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, 850 vjeçare, përfshirë dy kullat e saj, ndërsa maja dhe çatia iu shembën. Zjarri u vu nën kontroll gati nëntë orë pasi nisi, ndërsa flakët u shuan plotësisht pas 15 orësh.