Nis fushata elektorale e Joe Biden
https://parstoday.ir/sq/news/world-i87551-nis_fushata_elektorale_e_joe_biden
Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, shpalli zyrtarisht kandidaturën për president për zgjedhjet e vitit 2020, duke dalë menjëherë në krye të listës së gjatë të kandidatëve demokratë që duan të sfidojnë Presidentin Donald Trump.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 28, 2019 04:34 Europe/Tirane
  • Nis fushata elektorale e Joe Biden

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, shpalli zyrtarisht kandidaturën për president për zgjedhjet e vitit 2020, duke dalë menjëherë në krye të listës së gjatë të kandidatëve demokratë që duan të sfidojnë Presidentin Donald Trump.

Ai e shpalli vendimin në një video të postuar në rrjetin Twitter, duke deklaruar se “jemi në betejë për shpirtin e këtij kombi”. "Jam i bindur se këto katër vite me këtë president dhe gjithçka që ai mbështet, do të hyjnë në histori si një moment i neveritshëm i përkohshëm, tha ai. Por nëse i japim Donald Trumpit tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndryshojë përgjithmonë dhe rrënjësisht karakterin e këtij kombi. Nuk mund të rri e të shoh se çfarë po ndodh”, tha ai. Tashmë janë bërë 20 kandidatë demokrat që luftojnë për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, ndërsa emra të tjerë më pak të njohur mund t’i bashkohen garës. 76 vjeçar Biden, një senator veteran nga shteti Delaware dhe nënpresident për dy mandate në administratën e ish-Presidentit Barack Obama, përballet me kandidatët e tjerë demokratë, përfshirë senatorin nga Vermonti, Bernie Sanders i cili kryeson shumë anketa dhe ka shfaqur aftësinë për të siguruar fonde. Mes demokratëve, zoti Biden ka përvojë ndërkombëtare dhe legjislative të pashoqe dhe është ndër fytyrat më të njohura në politikën e Shteteve të Bashkuara. Por stili i tij të komunikimit, që i ka kaluar koha dhe që shprehet me afërsi fizike që mund të konsiderohet e papërshtatshme, së fundmi i ka shkaktuar atij probleme, kur të paktën shtatë gra, përfshirë një ish-kandidate për zëvendës guvernatore e Nevadës, e akuzuan atë për prekje, përqafime dhe puthje të papërshtatshme në aktivitete publike. Zoti Biden e mbrojti sjelljen e tij duke thënë se përputhej me përpjekjet e tij gjatë gjithë jetës për të krijuar “lidhje njerëzore” si me gra, ashtu edhe me burra dhe premtoi se këtej e tutje do të jetë i kujdesshëm ndaj asaj kufijve të afërsisë të njerëzve të tjerë.