Ndikimi i Brexit në zgjedhjet parlamentare
Analistët thonë se lufta e partive nacionaliste dhe e ekstremistëve të së djathtës kundër larmisë evropiane vë në rrezik Bashkimin Evropian. Në zgjedhjet sivjetshme për Parlamentin Evropian që filluan të enjten, disa parti të ekstremit të djathtë, të cilat janë dalluar për pozicionin e tyre kundër klasës sunduese, kanë qenë dhe më aktivet në fushatë.
Partia Marshimi Kombëtar e Francës u bë më e madhja e Parlamentit Evropian në zgjedhjet e vitit 2014. Sondazhet tregojnë tani se partia e drejtuar nga Marine Le Pen, gëzon mbështetjen më të lartë në zgjedhjet e sivjetshme evropiane. Përveç Francës, partitë e ekstremit të djathtë janë shfaqur edhe në vende si Suedia, Italia, Hungaria dhe Austria, për të cilat ekspert i gjeopolitikës Sylvain Kahn, paralajmëron se do të ndikojnë në maksimum axhendën e Parlamentit Evropian. "Në zgjedhjet e kaluara për Parlamentin Evropian, nacionalistët dhe ekstremistët e së djathtës fituan 140 nga 751 vende dhe këtë vit ata pritet që të marrin 180 apo 190 vende. Nëse këto parti do të arrijnë të formojnë një ose dy grupe parlamentare, atëherë do ta shtojnë ndikimin e tyre dhe do të bëhen të dytët ose të tretët brenda parlamentit.” Shumë parti të ekstremit të djathtë i kanë braktisur thirrjet për largim nga Bashkimi Evropian dhe nuk besojnë në një efekt domino pas Brexit-it, thekson Jacques Levy, një ekspert tjetër i gjeopolitikës.