BE: Italia shkeli rregullat fiskale
Bashkimi Europian pritet të penalizojë Italinë me 4 miliardë dollarë për shkelje të rregullave fiskale. Komisioni thotë se nisja e procedurave disiplinore është e justifikuar pasi vendi nuk ka bërë sa duhet për të ulur borxhin apo defiçitin.
Qeveria italiane mbetet optimiste se mund t'i shmanget saksioneve. Komisioni Europian ka marrë hapin e parë drejt penalizimit financiar të Italisë me arsyetimin se ka shkelur rregullat fiskale europiane. Zv.presidenti i organit ekzekutiv të Bashkimit Europian, Valdis Dombrovskis, tha të mërkurën se vendi mesdhetar prej vitesh nuk ka marrë masa për uljen e borxhit publik që ka arritur mbi 130 për qind, apo për defiçitin buxhetor mbi pragun limit prej 3 për qind. Dombrovskis: "Vitin e fundit, qeveria italiane ka provokuar një sërë dëmesh ekonomike me zgjedhjet e veta politike. Ndërkohë rritja ekonomike e vendit ka mbetur pezull dhe borxhi i lartë në vlerën 2 trilionë euro mbetet një rrezik i kapërcyeshëm me vështirësi." Konkluzionet e Komisionit do të diskutohen nga ministrat e shteteve anëtare brenda datës 19 qershor. Nëse ato miratohen, vendi në muajin korrik pritet t'i nënshtrohet kritereve të reja disiplinore të unionit dhe për herë të parë një gjobë rreth 4 miliardë dollarë. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, deklaroi se ai mbetet optimist për gjetjen e hapësirave fiskale që do të shmangin sanksionet e BE-së. Ndërsa zv.kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, apeloi për ndryshimin e rregullave të vjetra financiare të BE-së, pasi ato po varfërojnë italianët dhe po pengojnë rritjen e mëtejshme ekonomike. Qeveria italiane ka premtuar se buxheti i vitit 2020 do i përmbahet rregullave të Bashkimit Europian, ndërsa në të njëjtën kohë do të parashikojë taksa më të ulëta dhe shpenzime më të larta.