Organizata e Bashkëpunimit Islamik dënon Moldavinë
Organizata e Bashkëpunimit Islamik ka dënuar vendimin e Moldavisë për të lëvizur ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalemin e pushtuar, duke u bërë thirrje zyrtarëve të vendit të Europës Lindore që të anulojnë planin e tyre.
Organizata me 57 anëtarë, në një deklaratë të publikuar të enjten, i bëri thirrje qeverisë së Moldavisë "të anulojë këtë vendim dhe të respektojë detyrimet e saj ligjore dhe politike sipas të drejtës dhe rezolutave ndërkombëtare". Ajo i kërkoi gjithashtu Moldavisë të miratojë qëndrime që mbështesin shanset për vendosjen e paqes në bazë të të ashtuquajturës zgjidhje me dy shtete dhe promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe anembanë botës. "Ky veprim i paligjshëm përbën një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të OKB mbi Jerusalemin e pushtuar, të cilat pohojnë refuzimin e çdo veprimi që do të paragjykonte situatën historike, ligjore dhe politike të qytetit të okupuar të Jerusalemit", thuhet në deklaratën e OBI. Organizata për Çlirimin e Palestinës dhe Ministria e Jashtme palestineze, në dy deklarata të veçanta, kanë dënuar vendimin e Moldavisë, duke e përshkruar atë si një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare.