Greqia akuzon Ankaranë
Greqia dhe Qiproja kanë paralajmëruar sanksione kundër Turqisë nëse nuk ndalen aktivitetet e saj në zonën ekonomike ekskluzive të ishullit mesdhetar.
Një anije turke e pajisur me sonda shpimi është ankoruar në perëndim të Qipros prej muajit maj, me synimin për të shfrytëzuar rezervat e gazit të zbuluara në vitin 2011. Kryeministri grek, Aleksis Cipras, tha të dielën se pala greke dhe ajo qipriote po bashkërendojnë aksionet diplomatike kundër Ankarasë. Tsipras theksoi: "Shkelja e ligjit ndërkombëtar nuk është shenjë force, por dobësie. Kushdo që provohet se ka shkelur të drejtat sovrane të Greqisë, Qipros apo ligjin ndërkombëtar, duhet të përballet me pasojat. Greqia së fundmi ka formuar aleanca dhe gëzon mbështetje ndërkombëtare më të fortë se kurrë." Apelit të tyre iu bashkuan të premten edhe shtetet mesdhetare të BE-së, me në krye presidentin francez, Emanuel Makron. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan nuk e fshehu në fundjavë zhgënjimin me pozicionin e Francës. Erdogan tha: "Qëkur paska Franca të drejtë të flasë për Mesdheun Lindor? Turqia është një nga vendet garantuese për Qipron, së bashku me Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Po Franca ç'lidhje ka këtu?" Ankaraja pretendon se zona gazmbajtëse në brigjet perëndimore të Qipros është pjesë e shelfit kontinental që i takon asaj. Në rajon operojnë edhe tri kompani franceze, italiane dhe amerikane të cilat kërkojnë gaz dhe hidrokarbure përqark ishullit mesdhetar.