May kritikon intolerancën në politikën ndërkombëtare
Kryeministrja britanike Theresa May kritikoi të mërkurën intolerancën dhe absolutizmin në rritje në politikën botërore, në një mesazh që shumë e shohin si të adresuar ndaj pasardhësit të saj si dhe Presidentit Donald Trump.
Kryeministrja May, e cila do të largohet nga posti brenda një jave, pas një mandati trevjeçar të dominuar nga Brexit-i, dënoi “politikën ndarëse” dhe tha: “disa po humbasin aftësinë për të mos u pajtuar pa dëmtuar pikëpamjet e të tjerëve”. Në fjalimin e saj të fundit si udhëheqëse e vendit, zonja May dënoi politikën populiste të ‘fituesve dhe humbësve, të cilët e shohin kompromisin dhe bashkëpunimin përmes institucioneve ndërkombëtare si shenja të dobësisë, e jo të forcës’. Ajo mbrojti bashkëpunimin ndërkombëtar dhe theksoi nevojën për të ruajtur marrëveshjen e klimës së Parisit dhe marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin, të cilat Presidenti Trump i ka hedhur poshtë. May ka pasur një marrëdhënie nganjëherë të tensionuar me presidentin amerikan, i cili e ka quajtur qasjen e saj ndaj Brexit-it “naive” dhe ka thënë se ajo duhet të kishte dëgjuar këshillat e tij për të paditur BE-në. Javën e kaluar, ambasadori britanik në Uashington dha dorëheqjen pasi presidenti Trump u përgjigj me zemërim ndaj kabllogrameve diplomatike të bëra publike ku ai e përshkruante Shtëpinë e Bardhë si “kaotike ” dhe ”jofunksionale”.