BE paralajmëron kryeministrin e ri të Britanisë
Presidentja e re e emëruar e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka paralajmëruar kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe, Boris Johnson për "kohë sfiduese përpara" me zotimin e tij për të rinegociuar Brexit-in.
"Ka shumë çështje të vështira që do të trajtojmë së bashku", tha të martën politikania konservatore gjermane dhe ish ministrja e mbrojtjes, e cila do të marrë përsipër postin e lartë ekzekutiv të BE në nëntor. Ajo më tej tha se Evropa dhe Britania e Madhe kishin një "detyrë" për të arritur një marrëveshje divorci që është e dobishme për të dyja palët. Deklaratat e saj paralajmëruese erdhën menjëherë pasi Johnson fitoi votat e më shumë se 92,000 anëtarëve të Partisë Konservatore për të zëvendësuar kryeministren britanike në largim, Theresa May, ndërsa BE dhe Johnson përgatiten të konfrontohen në javët e ardhshme mbi premtimin e tij për të rinegociuar Brexit-in ose që Britania të largohet nga BE në datën 31 tetor pa një marrëveshje. "Ne do të realizojmë Brexit-in më 31 tetor dhe do të përfitojmë nga të gjitha mundësitë që do të sjellë me frymën e re 'Ne mundemi ", tha Johnson pas zgjedhjes së tij në kryeministrinë britanike. "Ashtu si një gjigant që zgjohet nga gjumi, ne do të ngrihemi dhe do të çlirohemi nga litarët e vetëdyshimit dhe negativitetit", shtoi kryeministri i ri britanik. Megjithatë, nënkryetari i Komisionit Evropian Frans Timmermans, të martën në një konferencë shtypi në Bruksel këmbënguli se BE nuk do të pajtohej për të rishikuar marrëveshjen e Brexit-it, duke thënë: "Mbretëria e Bashkuar arriti një marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe BE do ta ruajë atë marrëveshje." Ndërkohë që BE thuhet se po përgatitet për një Brexit pa marrëveshje ose një vonesë tjetër për largimin e Mbretërisë së Bashkuar, negociatori i bllokut për Brexit-in ia bëri të qartë Johnson se çdo ndryshim i madh në kushtet e divorcit që Londra tashmë kishte rënë dakord ishte i pamundur. "Ne shpresojmë që të punojmë në mënyrë konstruktive me kryeministrin Johnson, kur ai të marrë detyrën, për të lehtësuar ratifikimin e marrëveshjes së tërheqjes dhe për të arritur një Brexit të rregullt", tha të martën Michel Barnier në një postim ë Twitter.