Turqia po humbet durimin me SHBA-të në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/world-i89755-turqia_po_humbet_durimin_me_shba_të_në_siri
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se Ankaraja nuk është e kënaqur me propozimet e reja të SHBA për një zonë të sigurt në Sirinë veriore, duke paralajmëruar se Turqia po e humbet durimin me Uashingtonin lidhur me këtë çështje.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 24, 2019 16:57 Europe/Tirane
  • Turqia po humbet durimin me SHBA-të në Siri

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se Ankaraja nuk është e kënaqur me propozimet e reja të SHBA për një zonë të sigurt në Sirinë veriore, duke paralajmëruar se Turqia po e humbet durimin me Uashingtonin lidhur me këtë çështje.

Turqia është zemëruar nga mbështetja amerikane për Forcat Popullore të Mbrojtjes të Kurdëve (YPG) të bazuara në lindje të lumit Eufrat. Duke folur në një konferencë shtypi në Ankara të mërkurën, Cavusoglu tha se të dy aleatët nuk arritën të bien dakord se sa thellë do të ishte zona e sigurt, kush do ta kontrollonte atë dhe nëse zona do të spastrohej plotësisht nga militantët kurdë. "Duhet të arrihet një marrëveshje sa i përket zonës së sigurt sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse ne nuk kemi më durim," shtoi ai. Ministri turk gjithashtu tha se zyrtarët ushtarakë të SHBA-së u takuan me një udhëheqës të YPG-së të hënën, çka sipas tij, tregoi se Uashingtoni nuk ishte i sinqertë me Ankaranë. Cavusoglu kishte paralajmëruar në një intervistë me transmetuesin TGRT Haber të hënën se nëse në pjesën veriore të Sirisë nuk krijohet zona e sigurt, Turqia do të nisë një ofensive në Siri.