Biden: Presidenti amerikan ndez flakët e supremacisë së bardhë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i90066-biden_presidenti_amerikan_ndez_flakët_e_supremacisë_së_bardhë
Kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Joe Biden deklaroi se Presidenti Donald Trump ka "ndezur flakët e supremacisë së bardhë" në vend pasi amerikanët janë ende të shokuar nga dy incidente masive vdekjeprurëse në Teksas dhe Ohio.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 08, 2019 04:30 Europe/Tirane
  • Biden: Presidenti amerikan ndez flakët e supremacisë së bardhë

Kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Joe Biden deklaroi se Presidenti Donald Trump ka "ndezur flakët e supremacisë së bardhë" në vend pasi amerikanët janë ende të shokuar nga dy incidente masive vdekjeprurëse në Teksas dhe Ohio.

Duke folur të mërkurën në një miting në Burlington, Iowa, ish nënkryetari i SHBA sulmoi direkt presidentin Trump për promovimin e urrejtjes dhe frikës brenda Amerikës, në vazhdën e dy sulmeve me armë zjarri që lanë të vdekur më shumë se 30 njerëz dhe shumë të tjerë të plagosur. "Në gjuhë të qartë dhe të koduar, ky president ka ndezur flakët e supremacisë së bardhë në këtë komb," tha kandidati 76-vjeçar për presidencialet e vitit 2020. "Trump me gatishmëri dhe me zell të madh sulmon terrorizmin islamik, por mezi mund ta detyrojë veten të përdorë fjalët supremaci e bardhë," tha Biden duke shtuar: "Presidenti ynë është rreshtuar me forcat më të errëta në këtë komb. Kjo e bën shumë më të ashpër dhe më të vështirë fitoren e kësaj beteje për shpirtin e kombit tonë." Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vizituar Teksasin dhe Ohio-n pas sulmeve të armatosura që morën jetën e 31 personave. Në Ohio ai vizitoi të mbijetuarit në spital. Trump tha se ishte i shqetësuar për rritjen e urrejtjes mes grupeve të ndryshme racore, etnike. Në Teksas, Kongresmenia Demokrate që përfaqëson El Paso, Veronica Escobar, nuk pranoi ta takonte presidentin Trump me argumentin se Trump ka përdorur gjuhën e urrejtjes dhe të racizmit duke shkaktuar fyerje dhe dhimbje në vendin që ajo drejton.