Izraeli ndalon vizitën e dy kongresisteve demokrate
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se ndalimi i një vizite të kongresisteve demokrate të SHBA-së, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar kishte për qëllim t’i parandalonte ato të dëmtonin Izraelin.
“Sidoqoftë, itinerari tregoi se qëllimi i vetëm i grave të kongresit ishte të dëmtonin Izraelin”, shtoi kryeministri izraelit. Më herët, Izraeli njoftoi se do të ndalojë një vizitë të dy kongresisteve amerikane, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar, të cilat planifikuan të vizitojnë Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. “Vendimi është marrë, atyre nuk u lejohet të hyjnë”, tha zëvendës-ministrja e Jashtme izraelite, Tzipi Hotovely për Reshet Bet Radio. Presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte sugjeruar më parë Izraelit të mos lejojë vizitën nga Tlaib dhe Omar, dy gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongres dhe anëtare të Partisë Demokratike. “Do të tregonte dobësi të madhe nëse Izraeli do të lejonte vizitën e Omar dhe Tlaib . Ato e urrejnë Izraelin dhe tërë popullin hebre. Nuk ka asgjë që mund të thuhet, ose të bëhet, për të ndryshuar mendjen e tyre. Minesota dhe Michigan do ta kenë shumë të vështirë t’i kthejnë në detyrë. Ato janë një turp!”, ka shkruar Trump në Twitter. Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib janë dy përkrahëse të fushatës së bojkotimit të regjimit sionist dhe së fundmi kanë parashtruar një plan që u jep amerikanëve të drejtën të marrin pjesë në fushatat e bojkotimit të Izraelit.