Ceceni: Përurohet xhamia më e madhe në Evropë
Xhamia më e madhe e Evropës me një kapacitet prej 30,000 besimtarësh është hapur në qytetin Shali në Çeçeni.
Hapja e xhamisë, ndërtimi i së cilës zgjati shtatë vjet, mblodhi së bashku mijëra besimtarë myslimanë, përfshirë shumë të ftuar nga pjesë të tjera të Rusisë, Lindjes së Mesme, ish-republikave Sovjetike. Edhe pse u mendua deri në momentin e fundit që xhamia e re do të emërohej me emrin e ish-udhëheqësit çeçen Akhmat-Hadzi Kadyrov, i cili lindi 68 vjet më parë, djali i tij dhe presidenti aktual Ramzan Kadyrov i befasoi të pranishmit. “Xhamia u emërua ‘Krenaria e myslimanëve – Profeti Muhamed’. Ne u bëmë pjesëmarrës në një ngjarje epokale – hapjen e shtëpisë së bekuar të All-llahut të Plotfuqishëm, unik në modelin e saj me madhështinë dhe bukurinë e mrekullueshme”, tha Kadyrov dhe falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në ndërtimin e xhamisë. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe një përfaqësues i autorizuar i Kremlinit, Alexander Matovnikov, i cili uroi banorët e Ceçenisë dhe të gjithë myslimanët rusë për hapjen e kësaj xhamie të re, duke përcjellë dhe urimet e Putinit. “Krenaria myslimane është një kryevepër e arkitekturës islame që mishëroi stilin persian, Azinë Qendrore dhe Bizantin. Është xhamia më e madhe në Evropë”, tha Matovnikov, duke lexuar urimet në emër të presidentit Vladimir Putin. “Realizimi i këtij projekti të madh, mbresëlënës është një ngjarje domethënëse për banorët e Shalit dhe të gjithë Republikës Çeçene që ushtrojnë besimin Islam. Xhamia e re është krijuar për t’u bërë një qendër e rëndësishme shpirtërore, edukative, një burim i promovimit të vlerave të vërteta dhe të qëndrueshme të Islamit, një qendër e jetës fetare dhe kulturore për myslimanët në të gjithë rajonin”, ishte mesazhi i Presidentit Putin, i cili shprehu shpresë se xhamia e re do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe harmonisë në shoqëri.