Pezullohet Parlamenti britanik
(last modified Wed, 28 Aug 2019 19:25:54 GMT )
Gusht 28, 2019 21:25 Europe/Tirane
  • Pezullohet Parlamenti britanik

Mbretëresha e Anglisë Elizabeth II ka aprovuar planin e kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar Parlamentin, ka njoftuar Këshilli shtetëror i Mbretërisë së Bashkuar.

Në deklaratë thuhet se Parlamenti do të pezullohet nga periudha midis 9 dhe 12 shtator deri më 14 tetor, raporton Reuters. “Ky është urdhri i Madhërisë së Saj drejtuar sot Këshillit që Parlamenti të pezullohet, jo para të hënës 9 shtator dhe jo më vonë se 12 shtator, dhe deri më 14 tetor”, thuhet në deklaratë. Qeveria britanike i kishte kërkuar më parë mbretëreshës të pezullojë Parlamentin disa ditë pasi deputetët të kthehen në punë dhe vetëm disa javë para afatit të Brexit. Kjo do të thotë që deputetët britanikë nuk ka gjasa të kenë kohë të miratojnë ndonjë ligj që mund të parandalojë që kryeministri Johnson të “tërheqë” Britaninë nga BE pa një marrëveshje më 31 tetor. Në sistemin politik në Mbretërinë e Bashkuar, pezullimi i përkohshëm i punës së Parlamentit quhet ndërprerje e punimeve të parlamentit. Ky proces mund të ndodhë vetëm nëse kryeministri këshillon mbretëreshën për ta bërë këtë. Sipas BBC, vendimi për ta bërë këtë për momentin është mjaft i diskutueshëm, pasi do t’i ndalojë deputetët të përmbushin potencialin e tyre të plotë demokratik në procesin e largimit nga BE.

 

Tags