Brexiti ende në dilemë
(last modified Sat, 07 Sep 2019 17:04:23 GMT )
Shtator 07, 2019 19:04 Europe/Tirane
  • Brexiti ende në dilemë

Dilema lidhur me Brexitin u intensifikua të premten në Britani, pasi partitë e opozitës refuzuan të mbështesin thirrjen e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje derisa ai të sigurojë një shtyrje të afatit për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian – diçka që ai është betuar se nuk do ta bëjë kurrë.

Boris Johnson këmbëngul se Britania duhet të largohet nga BE-ja brenda 55 ditësh, dhe thotë se zgjedhjet janë mënyra e vetme për të zhbllokuar situatën, ndërkohë që ligjvënësit kanë votuar kundër disa marrëveshjeve për daljen nga BE, por nga ana tjetër nuk duan të dalin pa një marrëveshje. Ai do që zgjedhjet të mbahen më 15 tetor, dy javë para ditës së planifikuar të Brexitit, më 31 tetor, por i duhet mbështetja e dy të tretave të ligjvënësve për të zgjedhje të parakohshme. Johnson humbi një votë për të njëjtën çështje këtë javë, por ai planifikon të provojë përsëri të hënën. Pas diskutimeve të Premten, ligjvënësit nga disa parti të opozitës thanë se nuk do të mbështesin zgjedhjet nëse qeveria nuk i kërkon BE-së të shtyjë afatin për Brexit, duke shmangur kështu rrezikun që Britania e Madhe të dalë pa marrëveshje. Johnson kategorikisht e refuzon mundësinë e shtyrjes. Opozita, me në krye dy partitë më të mëdha: Laburisët dhe Demokratët Liberalë, tha se do të votojë kundër qeverisë ose do të abstenojë në votimin e së hënës për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme. Johnson tha se partitë po bëjnë një "gabim të jashtëzakonshëm politik". Ai do që zgjedhjet të zhvillohen më 15 tetor, përpara samitit në Bruksel më 17 dhe 18 tetor. Sipas tij, një gjë e tillë do t'i mundësonte qeverisë të realizojë Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga BE-ja, më 31 tetor. Data e Brexit-it është shtyrë dy herë. Johnson këmbëngul se procesi duhet të realizohet në fund të muajit të ardhshëm, me ose pa marrëveshje me BE-në. Por, një gjë e tillë kundërshtohet nga shumica e deputetëve në Parlamentin britanik, të cilët kanë miratuar një projektligj që e parandalon largimin e Britanisë pa marrëveshje. Brexit-i pa marrëveshje do të nënkuptonte pasoja të rënda ekonomike për Britaninë, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar. Parlamenti britanik e ka refuzuar tri herë marrëveshjen për dalje, e cila është arritur vitin e kaluar midis Brukselit dhe qeverisë së paraardhëses së Johnsonit, Theresa May. BE-ja ka thënë se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes. Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016. Gjatë javës së kaluar kryeministri ka pësuar disa humbje ndaj Brexitit në Parlament, dëboi 21 deputetë të tij për rebelim dhe u përball me dorëheqjen e vëllait të tij si deputet dhe Ministër.

 

Tags