Moska: "Mos nxirrni përfundime të nxituara"!
Rusia ka paralajmëruar kundër nxjerrjes së "përfundimeve të nxituara" se kush i ka kryer sulmet me dronë mbi objektet e naftës të Arabisë Saudite në pjesën lindore të mbretërisë, pas akuzave të zyrtarëve amerikanë që tregojnë me gisht Iranin.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të shmangin hapat ose përfundimet e nxituara që mund të përkeqësojnë situatën, dhe përkundrazi të mbajmë një linjë sjelljeje që do të ndihmojë në zbutjen e ndikimit të situatës," tha Dmitry Peskov në një konferencë për shtyp të hënën. Duke ju referuar deklaratave anti-iraniane të bëra nga zyrtarët amerikanë, zëdhënësi i Kremlinit tha: "Ne kemi një qëndrim negativ ndaj rritjes së tensioneve në rajon dhe bëjmë thirrje që të gjitha vendet e rajonit dhe jashtë tij të shmangin çdo hap apo përfundim të nxituar, i cili mund të thellojë destabilizimin e rajonit". Në fjalën e tij, Peskov tha se Presidenti rus Vladimir Putin nuk kishte ofruar të ndihmonte Arabinë Saudite të përballej me pasojat e sulmeve të dronëve, çka nuk ndikon në përgatitjet për vizitën e ardhshme të Putinit në mbretërinë arabe.