Gjykata britanike: Pezullimi i parlamentit ishte veprim i paligjshëm
https://parstoday.ir/sq/news/world-i91162-gjykata_britanike_pezullimi_i_parlamentit_ishte_veprim_i_paligjshëm
Gjykata e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar ka marrë vendim kundër kryeministrit Boris Xhonson, duke e gjykuar të paligjshëm pezullimin e punimeve të parlamentit për 5 javë deri më 14 tetor.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 24, 2019 18:44 Europe/Tirane
  • Gjykata britanike: Pezullimi i parlamentit ishte veprim i paligjshëm

Gjykata e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar ka marrë vendim kundër kryeministrit Boris Xhonson, duke e gjykuar të paligjshëm pezullimin e punimeve të parlamentit për 5 javë deri më 14 tetor.

Gjykatësja Brenda Hejl tha se nisma e qeverisë devijoi debatin por edhe funksionet kushtetuese që organi më i lartë ligjvënës duhet të kryente pak javë përpara largimit të vendit nga Bashkimi Europian. Vendimi ishte unanim i 11 gjyqtarëve. "Tani i takon parlamentit dhe në veçanti kryetarit të saj të vendosin si duhet vepruar. Por duhet thënë se pasojat në thelbin e demokracisë tonë kanë qenë ekstreme," u shpreh kryesuesja e Gjykatës së Lartë angleze. Kryetari i dhomës së ulët, Xhon Berkou, e mirëpriti vendimin dhe u zotua ta mbledhë kuvendin me urgjencë. Ndërsa në kampin opozitar, shefi i laburistëve, Xheremi Korbin, u tregua i gatshëm të formojë qeverinë e re pasi ftoi rivalin e vet konservator të japë dorëheqjen. "Unë e ftoj Boris Xhonson, siç është ajo shprehja historike, që të vlerësojë pozicionin e vet," deklaroi Korbin përpara delegatëve të partisë. Apelit për dorëheqjen e Xhonson iu bashkuan edhe partitë kryesore kundërshtare. Kryeministri Xhonson më herët ka deklaruar se do e respektojë qëndrimin e gjykatës qoftë në avantazhin apo disavantazhin e tij.