Demokratët fillojnë procedurat për hetimin zyrtar të presidentit Trump
Demokratët do të hapin një “hetim zyrtar të fajësisë” ndaj Presidentit Donald Trump për pretendimet se ai kërkoi ndihmë politike nga Ukraina, thonë raportet e mediave amerikane.
Sipas mediumit prestigjioz CNN, Nancy Pelosi duke deklaruar një veprim të tillë, ka thënë se “Presidenti duhet të mbahet përgjegjës. Askush nuk është mbi ligjin”. Vendimi i kryedemokrates Nancy Pelosi pason kërkesat në rritje nga partia e saj për shkarkimin nga detyra të Donald Trump. Trump ka mohuar fajësinë, por ka pranuar se ka diskutuar rreth rivalit politik Joe Biden me presidentin ukrainas. Ish-nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i kishte bërë thirrje Presidentit Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka patur me presidentin ukrainas në të cilën thuhet se i ka bërë presion bashkëbiseduesit për të hetuar djalin e tij, Hunter. Përndryshe, shtoi Biden, ai rrezikon të largohet nga posti. Biden ka mbështetur procedurat e “hetimit zyrtar të fajësisë” nëse presidenti amerikan nuk zbaton hetimet në bisedën e tij me liderin e Ukrainës.