Trump, amerikanëve: "Duan t'ju marrin lirinë"
https://parstoday.ir/sq/news/world-i91281-trump_amerikanëve_duan_t'ju_marrin_lirinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur procedurën për shkarkimin e tij, të nisur nga demokratët, si “mashtrimin më të madh” në historinë e politikës amerikane.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Shtator 29, 2019 17:28 Europe/Tirane
  • Trump, amerikanëve:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur procedurën për shkarkimin e tij, të nisur nga demokratët, si “mashtrimin më të madh” në historinë e politikës amerikane.

Video-mesazhi i publikuar nga Trump në rrjetet sociale, vjen si kundërpërgjigje pas nisjes së hetimeve ndaj tij lidhur me dyshimet se ai, përmes bllokimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, i ka bërë presion Kievit zyrtar, që të hetojë kundërshtarin e tij politik, ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden. Trump tha se demokratët – të cilët javën e kaluar nisën procedurat për shkarkimin e presidentit – duan “të marrin gjithçka”. Ai tha se demokratët “duan të marrin armët tuaja, lirinë tuaj… dhe unë kurrë nuk do të lejoj që një gjë e tillë të ndodhë”. Sipas sondazheve, publiku në SHBA është i ndarë lidhur me procesin e shkarkimit të presidentit, i cili njihet me termin “impeachment”. Në thelb të këtij skandali është publikimi i një raporti të një informatori, i cili ka treguar detaje për telefonatën e 25 korrikut ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. Gjatë kësaj bisede, Trump i ka kërkuar ndihmë Zelenskiyt për të hetuar Bidenin – i cili është kandidat demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 – dhe djalin e tij Hunter, i cili ka qenë anëtar i bordit të një kompanie të energjisë në Ukrainë. Trump, kishte bllokuar ndihmat ushtarake për Kievin në vlerë prej 400 milionë dollarësh, para se kjo bisedë telefonike të ndodhte. Sipas legjislacionit në SHBA, procesi i shkarkimit të një presidenti fillimisht iniciohet në Komitetin për Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, përpara se të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.