Beteja për shkarkimin e presidentit thellon ndasitë politike
Uashingtoni është pushtuar nga emocionet dhe tensionet, ndërsa hetimi për procedurën e shkarkimit që ka në shënjestër presidentin Donald Trump, intensifikohet.
Ditët e fundit, Presienti Trump ka mbajtur një qëndrim luftarak ndërsa shtohen gjasat për procedurën e shkarkimit. Të enjten, para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë ai u bëri thirrje hapur Ukrainës dhe Kinës që të fillojnë të hetojnë kandidatin demokrat për President, Joe Biden dhe të birin e tij, Hunter. Në qendër të hetimit për procedurën e shkarkimit që demokratët po e nxisin, është një telefonatë e 25 korrikut mes zotit Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Ndërsa gjithnjë e më shumë detaje dalin për telefonatën, toni i Trump është bërë gjithnjë e më agresiv. Beteja e procedurës së shkarkimit ka ngjallur reagime të forta si mes mbështetësve, ashtu edhe kundërshtarëve të tij. Megjithëse sondazhet tregojnë se mbështetja për procedurën e shkarkimit po rritet, shumë prej tyre tregojnë gjithashtu se baza e Trump e mbështet atë edhe më shumë se më parë. Presidenti Trump është mësuar me beteja politike dhe ajo që po afrohet për procedurën e shkarkimit, mund të jetë momenti vendimtar për presidencën e tij.