Pompeo në Greqi, i kërkohet ndërhyrje për konfliktin me Turqinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i91428-pompeo_në_greqi_i_kërkohet_ndërhyrje_për_konfliktin_me_turqinë
Kryediplomati amerikan, Mike Pompeo, vijon turin e tij ballkanik duke ndalur në Athinë. Në fokus të diskutimeve të mbajtura me kryeministrin grek ishin raportet dypalëshe, bashkëpunimi në NATO dhe zgjidhja e tensioneve mes Turqisë dhe Qipros.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 05, 2019 18:21 Europe/Tirane
  • Pompeo në Greqi, i kërkohet ndërhyrje për konfliktin me Turqinë

Kryediplomati amerikan, Mike Pompeo, vijon turin e tij ballkanik duke ndalur në Athinë. Në fokus të diskutimeve të mbajtura me kryeministrin grek ishin raportet dypalëshe, bashkëpunimi në NATO dhe zgjidhja e tensioneve mes Turqisë dhe Qipros.

Sipas Greqisë, marrëdhëniet me Uashingtonin janë më të forta se kurrë. Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin influencën e tyre për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor. Apelin e drejtoi të shtunën kryeministri i Greqisë, Qirjako Micotaqis, në një takim me kryediplomatin e Uashingtonit, Mike Pompeo. Micotaqis shprehu shqetësim posaçërisht për konfliktin disamujor me Ankaranë, e cila të hënën pritet të nisë kërkimin e gazit dhe hidrokarbureve në territorin e Qipros Veriore, pavarësisht kundërvënies së faktorit ndërkombëtar, si BE-ja apo edhe vetë SHBA-ja. Pompeo u zotua të avancojë aksionin diplomatik ndaj veprimeve të paligjshme të Ankarasë, ndërsa vlerësoi rolin Greqisë si një shtyllë strategjike dhe stabiliteti. Kryeministri grek pohoi se marrëdhënia mes dy shteteve nuk ka qenë asnjëherë më e fortë. Zyrtari amerikan vijoi takimet me anëtarë të tjerë të kabinetit, me të cilët nënshkroi një marrëveshje dypalëshe në fushën e mbrojtjes, që ndër të tjera rrit prezencën amerikane në bazat ushtarake të vendit. Në Athinë Pompeo u prit me protesta, ku qindra qytetarë të mbledhur në sheshin kryesor përsëritnin sloganet "amerikanët, vrasës" apo "jo marrëveshjes Greqi-SHBA."