Rusia nuk dëshiron konflikt me Turqinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i91695-rusia_nuk_dëshiron_konflikt_me_turqinë
Ne nuk duam të imagjinojmë mundësinë e përplasjes me Turqinë në Siri, tha zëdhënësi i Kremlinit pas një marrëveshjeje të kurdëve me Damaskun për të kundërshtuar operacionet ushtarake turke kundër veriut të Sirisë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 15, 2019 16:25 Europe/Tirane
  • Rusia nuk dëshiron konflikt me Turqinë

Ne nuk duam të imagjinojmë mundësinë e përplasjes me Turqinë në Siri, tha zëdhënësi i Kremlinit pas një marrëveshjeje të kurdëve me Damaskun për të kundërshtuar operacionet ushtarake turke kundër veriut të Sirisë.

Kremlini tha të hënën (14 tetor) se nuk dëshiron të marrë në konsideratë mundësinë e një përplasjeje në Siri midis forcave ruse dhe turke dhe tha se Moska ishte në kontakte të rregullta me Ankaranë, përfshirë në nivelin ushtarak. Njoftimi i Kremlinit vjen pas marrëveshjes së arritur midis liderëve kurdë sirianë dhe qeverisë siriane, të negociuar nga Rusia për të përqendruar trupat e ushtrisë siriane përgjatë kufirit me Turqinë. Ky veprim do të vendoste trupat e ushtrisë siriane pranë atyre të ushtrisë turke. Kjo është potencialisht e sikletshme për Moskën, e cila mbështet ushtrinë Siriane me forca ajrore, por gjithashtu ka marrëdhënie të mira me Turqinë. "Ne as nuk do të mendonim për këtë skenar," u tha Dmitry Peskov gazetarëve kur u pyet nëse Rusia do të përplasej me forcat turke. Duke theksuar nevojën për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në Siri, Peskov kujtoi se Moska tashmë kishte paralajmëruar të gjitha palët në konfliktin sirian të shmangin çdo veprim që mund të nxisë tensionet në rajon ose të dëmtojë një proces të brishtë politik. Kur u pyet nëse Erdogan e koordinoi me Putinin ofensivën turke, Peskov u përgjigj: "Kontaktet janë duke u zhvilluar midis autoriteteve ruse dhe turke. Në veçanti, ka pasur një telefonatë midis Presidentëve dhe biseda telefonike midis Ministrave të Jashtëm. Ekzistojnë gjithashtu kanale komunikimi midis dy ushtrive". Deklaratat e diplomatit rus erdhën ndërsa ushtria Siriane hyri në qytetin Ain Isa pas pesë vjetësh, 6 km larg kufirit me Turqinë, sipas agjencisë siriane të lajmeve SANA. Të përshëndetur nga banorët, forcat e ushtrisë siriane u vendosën në selinë e Brigadës 93 në Ain Issa, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, duke shtuar se Ushtria Siriane mori kontrollin e qytetit të al-Tabka në Rakan veriore. Aktualisht, flamujt sirianë po valëviten mbi ndërtesat qeveritare dhe shkollat në qytetet Kamishli dhe Hasake, të cilat deri më tani janë kontrolluar nga kurdët. Të tradhtuar nga Uashingtoni, kurdët e Sirisë patën disa takime me qeverinë siriane në Damask dhe Kamishli. Megjithë kritikat e forta ndërkombëtare, ofensiva turke u nis të mërkurën, 9 tetor pasi Presidenti amerikan njoftoi tërheqjen nga Siria veriore. Kurdët, të cilët shpresonin në mbështetjen e SHBA, dhe nuk pranuan të koordinoheshin me Damaskun, e përshkruan vendimin e Uashingtonit si "një thikë pas shpine".