Liderët e BE-së miratojnë marrëveshjen Brexit
(last modified Thu, 17 Oct 2019 19:19:57 GMT )
Tetor 17, 2019 21:19 Europe/Tirane
  • Liderët e BE-së miratojnë marrëveshjen Brexit

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka njoftuar se liderët e BE-së kanë aprovuar një marrëveshje të rishikuar të daljes së Britanisë së Madhe nga BE.

Marrëveshja e Brexit do të hyjë në fuqi më 1 nëntor. “Këshilli Evropian i bëri thirrje Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian që të lejojnë që marrëveshja të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2019”, tha Tusk. Pas miratimit të konkluzioneve të liderëve të BE-së për marrëveshjen e rishikuar të Brexit, Donald Tusk, tha se ishte arritur një marrëveshje që do të shmangte “kaosin dhe atmosferën e konfliktit midis BE 27 dhe MB”. Tusk theksoi se versioni i ri i marrëveshjes u pranua sepse kryesisht u aprovua nga Irlanda, por edhe nga Komisioni Evropian që do të thotë se është “i sigurt dhe me përfitim për qytetarët e BE-së”. Një marrëveshje për Brexitin është arritur mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, pak para samitit të liderëve në Bruksel.Boris Johnson dhe Jean Claude Juncker, e quajtën atë një rezultat të ndershëm dhe presidenti i Komisionit Evropian tha se tani nuk ka më nevojë për të shtyrë afatet e Brexit-it.“Ne kemi një marrëveshje dhe kjo marrëveshje do të thotë se nuk ka më nevojë për shtyrje, kjo është një marrëveshje e drejtë dhe e balancuar, është një testament i angazhimit tonë për gjetjen e zgjidhjeve. Ajo ofron siguri atje ku Brexiti krijon paqartësi, mbron të drejtat e qytetarëve dhe mbron paqen dhe stabilitetin në ishullin e Irlandës”, shprehet Juncker. Kjo, sigurisht, përbën një arritje për kryeministrin britanik, por ai sërish përballet me një betejë të vërtetë për ta kaluar marrëveshjen në parlament, me ish aleatët e partisë Unioniste Demokrate, DUP, që e kanë shpallur tashmë votën kundër. Johnson, i kërkoi ligjvënësve britanikë të bashkoheshin për të jetësuar Brexitin dhe për ta zbatuar këtë marrëveshje të shkëlqyer. Sidoqoftë, marrëveshja e arritur do të duhet edhe të marrë miratimin e parlamenteve britanikë dhe evropian.

 

Tags