Putin dhe Asad diskutojnë mbi marrëveshjen Turqi-Rusi
Vladimir Putin president I Rusisë dhe Bashar Asad president I Sirisë në një bisedë telefonike kanë diskutuar mbi përmbajtjen e marrëveshjes Turqi-Rusi.
Në këtë bisedë telefonike, presidenti i Rusisë theksoi se Moska insiston dhe thekson respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë. Ai ndër të tjera shtoi se çdo marrëveshje e arritur mes Moskës dhe Ankarasë konsiston në luftën e gjithanshme kundër terrorizmit dhe eliminimin e çdo përpjekje separatiste. Bashar Asad president i Sirisë në këtë bisedë telefonike shprehu kundërshtimin e tij me çdo lloj agresioni ndaj territorit sirian dhe ndryshimin e demografisë së Sirisë. Asad deklaroi se Sirianët do të vazhdojnë përpjekjet e tyre në luftën si kundër terroristëve ashtu edhe kundër pushtuesve. Putin dhe Erdogan kanë arritur një marrëveshje për të krijuar një zonë të sigurt të kërkuar prej shumë kohësh nga Ankaraja në veri të Sirisë, që do ti detyrojë militantët kurdë që veprojnë në rajon të largohen përtej 30 kilometrave nga kufiri turk. Marrëveshja u njoftua të martën në mbrëmje pas diskutimeve të gjata midis Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, në Soçi. Sipas marrëveshjes, tha Erdogan, militantët kurdë do të largohen 30 kilometra larg rajoneve kufitare në veri-lindje të Sirisë brenda 150 orëve, të cilat do të fillonin të Mërkurën në mesditë. Kur zona të pastrohet nga kurdët, ushtarët turq dhe rusë së bashku do të patrullojnë 10 kilometra në lindje dhe perëndim të zonës tampon për të bllokuar depërtimin e mundshëm të militantëve në zonë. Forcat e qeverisë siriane gjithashtu do të bashkohen me trupat ruse përkrah kufirit. Mbetet e paqartë nëse YPG do të pajtohet me kushtet e marrëveshjes. Duke ju drejtuar gazetarëve së bashku me Putinin, Erdogan e përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur "historike" dhe tha: "Sipas kësaj marrëveshjeje, Turqia dhe Rusia nuk do të lejojnë asnjë axhendë separatiste në territorin sirian."