Bashkimi evropian shtyn procesin e Brexit
(last modified Sun, 27 Oct 2019 06:19:53 GMT )
Tetor 27, 2019 07:19 Europe/Tirane
  • Bashkimi evropian shtyn procesin e Brexit

Ambasadorët e BE-së pranuan të premten në parim të shtyjnë Brexit-in përtej datës 31 tetor 2019, por vendimi për datën finale do merret javën e ardhshme. Kryeministri britanik Boris Johnson kërkon zgjedhje të reja të përgjithshme më 12 dhjetor nëse marrëveshja Brexit nuk ratifikohet brenda një kohe të shkurtër.

Bashkimi Europian ka pranuar t'i përgjigjet pozitivisht kërkesës së qeverisë britanike për shtyrjen e Brexit-it. Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, deklaroi të premten se diplomatët e 27 vendeve anëtare do të dalin me një datë të saktë javën e ardhshme. Një ditë më parë kryeministri Boris Johnson hodhi idenë e zgjedhjeve të reja nëse Brexit vonohet. Në një letër drejtuar liderit të opozitës laburiste, Jeremy Corbyn ai tha se varianti i preferuar do të ishte shtyrja sa më e shkurtër e procesit të shkëputjes nga unioni. "Nëse ky parlament nuk arrin ta ratifikojë marrëveshjen aktuale Brexit brenda datës 6 nëntor, problemi atëherë do të duhet të zgjidhet nga një parlament i ri. Zgjedhjet e reja më 12 dhjetor do na mundësonin një parlament dhe qeveri të re për Krishtlindje, dhe nëse unë fitoj, marrëveshja do ratifikohet, Brexit do realizohet në janar dhe vendi do të ecë përpara," shkroi Johnson. Dhoma e deputetëve britanikë planifikohet të hënën të votojë nëse duhen mbajtur zgjedhjet e parakohshme. Laburisti Korbin thotë se opozita e përkrah një proces të ri elektoral dhe e kërkon prej kohësh, por më parë qeveria duhet të përjashtojë skenarin e daljes pa konsensus nga BE-ja. Zyrtarët europianë informojnë se Brexit mund të shtyhet deri më 31 janar 2020 nëse Britania e Madhe i drejtohet kutive të votimit. Ndërkohë, në rastin e zgjedhjeve të reja, sondazhet favorizojnë konservatorët aktualisht në pushtet, ndjekur nga opozita laburiste, liberaldemokratët dhe partia Brexit. Më herët zyrtarët evropianë u takuan për të diskutuar nëse Brexit do të realizohet brenda tre muajsh apo brenda dy javësh. Vendimi për këtë diskutim do të jepet të hënën, por duket se ka nisur një lloj lodhjeje nga tejzgjatja e procedurës. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se do të donte të zgjidhej afati tre-mujor, që Britania të dalë më 31 janar. Ai ka pasur mbështetjen e Gjermanisë dhe Irlandës për këtë variant. Megjithatë, presidenti Makron thuhet se po drejton një “rebelim”, i ndjekur nga Holanda, Belgjika, Luksemburgu e Spanja, duke kërkuar që Britania të dalë nga BE-ja brenda dy javësh. Kryeministri britanik, Boris Xhonson, u tha deputetëve që kërkonin më shumë kohë se do t’ua plotësonte dëshirën nëse ishin të gatshëm të mbanin zgjedhje të përgjithshme më 12 dhjetor. Xheremi Korbin, drejtuesi i opozitës, tha se vendimi i tij do të vinte pasi të shqyrtonte afatin e ndonjë zgjerimi të mundshëm të Nenit 50, të garantuar nga Brukseli. Deputetët e konservatorëve kanë këmbëngulur se do të ndjekin vendimin për zgjedhje të parakohshme, por u duhen votat e opozitës. Nëse kryeopozitari Korbin nuk e mbështet vendimin të hënën, do të ishte hera e tretë që opozita britanike kundërshton zgjedhjet e parakohshme.

 


 

Tags