Bolton thirret për të dëshmuar në Kongres kundër Trump
Komiteti për marrëdhëniet me jashtë, i informacioneve, monitorimit dhe reformave në Kongres ditën e mërkurë ka thirrur ish këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së bardhë për të dhënë dëshmi në dosjen e hetimit për shkarkimin e Donald Trump.
Këto tre komitet i kanë kërkuar John Bolton të paraqitet për të dhënë dëshminë mbi skandalin e fundit Ukraine-gate. Dy diplomatë amerikanë të karrierës i thanë të mërkurën komisioneve që po hetojnë për procesin e shkarkimit të Presidentit se Donald Trumpi kishte një pikëpamje thellësisht negative për Ukrainën si një vend i korruptuar gjë që ndërlikoi përpjekjet diplomatike për të forcuar marrëdhëniet e Uashingtonit me Kievin dhe mbështetjen në luftën e këtij të fundit kundër separatistëve rusë në pjesën lindore të vendit. Administrata Trump në fillim të këtij viti thirri ambasadoren Yovanovitch nga Ukraina, disa muaj para se të përfundonte mandati i saj dhe e shkarkoi atë. Ajo i ka thënë komisioneve hetimore për shkarkimin e Presidentit se u pushua nga puna për shkak të "pretendimeve të pabaza dhe të rreme nga njerëzit me motive të dyshimta". Mbarëvajtja e diskutimeve të presidentit me Ukrainën është në qendër të hetimit të nisur nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët për shkarkimin e tij - në se pezullimi i përkohshëm i 391 milion dollarëve ndihma ushtarake për Ukrainën u bë derisa ai mori miratimin për hetime për ta ndihmuar atë politikisht. Ligjvënësit po shqyrtojnë kërkesën e Presidentit Trump në fund të korrikut drejtuar presidentit aktual të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, që ai të fillonte hetimet për çdo përfshirje që Ukraina kishte në përpjekje për të penguar zgjedhjen e tij në vitin 2016 dhe të hetonte veprimet e një prej sfiduesve kryesorë të demokratëve të vitit 2020, ish-nënpresidentit Joe Biden, dhe punën e djalit të tij, Hunter Biden, si anëtar i bordit të Burismas, një kompani ukrainase e gazit natyror. Trump e ka cilësuar thirrjen me Presidentin Zelenskiy si "perfekte", dhe mohoi se ekzistonte një quid pro quo - ndihmën ushtarake për Kievin në këmbim të hetimeve politike.