Raketat ruse në Egjipt
Për herë të parë, ushtria ruse filloi të mërkurën në Egjipt manovra të mëdha të mbrojtjes ajrore, të cilat dëshmojnë, sipas analistëve, thellimin e lidhjeve midis Moskës dhe forcave të armatosura të vendeve afrikane, çka tërhoqi vëmendjen e komandantëve ushtarakë amerikanë.
Këto manovra ushtarake vijnë një javë pasi Presidenti rus Vladimir Putin mbajti një samit të udhëheqësve afrikanë në Soçi për forcimin e rolit të Moskës në kontinentin afrikan, nga tregtia dhe shitja e armëve, deri tek partneritetet ushtarake. Ndërsa marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Egjiptit janë tensionuar rëndë që nga vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të kufizuar shitjen e armëve Kajros, Moska ka nënshkruar shumë marrëveshje me Egjiptin, përfshirë një marrëveshje prej 2 miliardë dollarësh të përfunduar këtë vit për t'i shitur Kajros më shumë se 20 avionë luftarakë Su-35. Gjatë manovrave ruse në Egjipt, do të ekspozohet një gamë e gjerë e armëve. Në mesin e sistemeve të testuara janë raketat anti-ajrore Buk-M2E dhe Tor-M2E, si dhe sistemi tokë-ajër Pechora S-125, njoftoi ushtria ruse. Për Shtetet e Bashkuara, prania në rritje e Rusisë në Afrikë dhe ndikimi i madh ekonomik i Kinës kanë çuar në një ndryshim të strategjisë ushtarake. Gjenerali Stephen J. Townsend i Komandës së SHBA për Afrikën, tha në prill se Rusët "po kërkojnë qasje dhe ndikim në Afrikë në dëmin tonë".