Publikohet transkripti i bisedës së parë Trump-Zelensky
Dhoma e Përfaqësuesve po e heton presidentin Trump nëse ai ka abuzuar detyrën e tij për përfitime personale dhe politike, duke nxitur një qeveri të huaj për të hetuar rivalët e tij politikë.
Në veçanti, nëse Trump, pezulloi 390 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe i kërkoi presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky që të zhvillojë hetime ndaj kundërshtarit të tij të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter. Në kohën kur po fillonte seanca në Dhomën e Përfaqësuesve, Shtëpia e Bardhë e ka publikuar transkriptin e bisedës së parë ndërmjet presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelensky. Trump fillimisht e uron Zelenskyn për fitoren në zgjedhje."Kanë qenë zgjedhje të jashtëzakonshme”, i thotë Trump homologut Zelensky.Presidenti Trump kishte premtuar se do ta publikojë bisedën e parë telefonike, të zhvilluar në muajin prill.Mirëpo, një bisedë e muajit korrik me presidentin Zelenskey është arsyeja që Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur procedurën e shkarkimit të presidentit Trump. Një informator, deri më tani i paidentifikuar, dërgoi ankesë duke thënë se biseda përbënte shkelje nga ana e presidentit amerikan.