Kongresi përgatitet për seancën e radhës për shkarkimin e Trump
Dhoma e Përfaqësuesve pasi ka rishikuar raportin mbi skandalin Ukrainegate, është futur në fazën përgatitore për seancën e shkarkimit të presidentit Trump.
Sipas një njoftimi të agjencisë Politico, Dhoma e Përfaqësuesve ditën e hënë do të analizojë raportin mbi skandalin Ukrainegate dhe hetimet e kryera mbi përdorimin politik të ndihmave ushtarake për Ukrainën nga ana e presidentit amerikan. Komiteti juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, ka ftuar presidentin Trump të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të këtij komiteti ku po ndiqet procesi i shkarkimit të presidentit. Sipas agjencisë franceze të lajmeve, takimi i ardhshëm do të mbahet më datë 4 dhjetor dhe në të janë ftuar të marrin pjesë presidenti Donald Trump dhe avokati i tij. Jerry Nadler, kreu i komitetit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve ka thënë se takimi do të nisë punën në 10 të mëngjesit sipas orës lokale. Ai duke iu drejtuar Trump dhe avokatit të tij ka thënë: Ky komitet është në pritje të pjesëmarrjes tuaj në procesin e hetimeve për shkarkimin, sepse synon të zbatojë në formë të plotë përgjegjësitë ligjore që ka.