Dhoma e Përfaqësuesve nuk heq dorë nga shkarkimi i Trump
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, tha se ka udhëzuar Komitetin Gjyqësor të Shtëpisë, që të hartojë akuza të fajësimit kundër presidentit Donald Trump, për përpjekjen e tij për të bërë presion ndaj Ukrainës për të hetuar një rival politik.
“Faktet janë të pakontestueshme. Presidenti abuzoi me fuqinë e tij për përfitimin e tij personal politik në kurriz të sigurisë sonë kombëtare”, tha Pelosi në një deklaratë televizive. "Demokracia jonë është në rrezik, presidenti nuk na lë zgjidhje tjetër veçse të veprojmë", tha demokratja Pelosi. Pelosi i bëri komentet një ditë pasi Komisioni Gjyqësor mbajti një seancë në të cilën tre ekspertë të ligjit kushtetues të thirrur nga politikanë demokratë, thanë se Trump kishte bërë sjellje që janë të papranueshme sipas Kushtetutës. Trump, i cili ka mohuar çdo keqbërje, e ka quajtur mashtrim hetimin e fajësimit.