Fituesja e Nobelit për paqe, në Hagë për gjenocid
(last modified Tue, 10 Dec 2019 19:18:20 GMT )
Dhjetor 10, 2019 20:18 Europe/Tirane
  • Fituesja e Nobelit për paqe, në Hagë për gjenocid

Gjykata ndërkombëtare e Hagës ka nisur procesin kundër udhëheqësve të Mianmarit, të akuzuar për gjenocid dhe spastrim të minoritetit mysliman në vend.

Akuzat rëndojnë veçanërisht ndaj kryeministres Aun Sen Su Ki, e cila dikur mbahej ikonë e paqes dhe do të vlerësohej edhe me Nobel për aktivizmin e saj për të drejtat e njeriut. Kryeministrja e Mianmarit, Aun Sen Su Ki, mbërriti të martën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për t'u përballur me akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Politikania 74-vjeçare e vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1991, akuzohet nga shteti afrikan i Gambias dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik se ka lejuar ushtrinë të persekutojë e vrasë dhjetëra mijëra pjesëtarë të minoritetit mysliman rohingia. "Çdo ditë që kalon pa vepruar vriten më shumë njerëz, më shumë gra po përdhunohen dhe fëmijët e tyre po digjen të gjallë. Dhe kjo vetëm pse lindën ndryshe, me race dhe fe ndryshe nga ajo e atyre që i vrasin dhe i përdhunojnë. Ky, të nderuar gjykatës, është gjenocid," deklaroi të hënën në Hagë ministri i Drejtësisë i Gambias, Abubakar Tambadu. Rohangiat janë një etni që beson në Islam dhe që konsiderohet pakica etnike më e shtypur e botës. Atyre u ndalohet të lëvizin lirisht, të marrin nënshtetësinë, të edukohen apo të punojnë në administratën publike të Mianmarit, me shumicë budiste. Ata konsiderohen emigrantë të paligjshëm, dhe në spastrimin etnik të viteve 2016-2017, me dhjetëra mijëra u vranë dhe gati 1 milion u detyruan të zhvendoseshin në kampe drejt Bangladeshit.

 

Tags