Fillojnë zgjedhjet përcaktuese në Britani
https://parstoday.ir/sq/news/world-i93126-fillojnë_zgjedhjet_përcaktuese_në_britani
Qytetarët e Britanisë sot në mëngjes kanë filluar të shkojnë pranë kutive të votimeve për zgjedhjet më përcaktuese parlamentare.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 12, 2019 15:43 Europe/Tirane
  • Fillojnë zgjedhjet përcaktuese në Britani

Qytetarët e Britanisë sot në mëngjes kanë filluar të shkojnë pranë kutive të votimeve për zgjedhjet më përcaktuese parlamentare.

Zgjedhësit në Mbretërinë e Bashkuar po hedhin votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme që mund të jenë vendimtare për largimin nga Bashkimi Evropian, të cilin shumica e miratoi në referendumin e qershorit të vitit 2016.

Kryeministri Boris Johnson, përqendroi fushatën e tij në parullën "Ta përmbyllim Brexit-in”. Ai thotë se një shumicë parlamentare për Partinë e tij Konservatore, do t’i mundësonte ta çojë përpara një marrëveshje të refuzuar më parë për ndarjen nga BE-ja dhe ta përmbyllë Brexit-in deri më 31 janar.

Sfiduesi i tij, udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, tha që nëse fiton, do të organizojë një referendum të ri për të pyetur qytetarët nëse ende duan largimin nga Bashkimi Evropian apo vendi të mbetet edhe më tej pjesë e bllokut 28 anëtarësh.

Boris Johnson mori detyrën e kryeministrit pasi që pararendësja e tij, Theresa May, dështoi të në përpjekjet e saj të përsëritura që të sigurojë miratimin e parlamentit për një marrëveshje që kishte arritur me BE-në. Zonja May u përpoq të forcojë pozicionin e saj negociues për Brexit-in duke organizuar zgjedhje të parakohshme, por partia e saj vetëm sa humbi disa vende në parlament.

Anketat para zgjedhjeve lanë të kuptohet se partia e kryeministrit Johnson ishte në përparësi, por dallimi u ngushtua në ditët e fundit të fushatës.

Rezultatet zyrtare priten në mëngjesin e së premtes.

Gjatë fushatës, Brexit-i pashmangshëm ka qenë lart në agjendë dhe kryeministri aktual, Boris Johnson, është zotuar se do ta përfundojë.

Procesi është zhargitur me vite për shkak të mospajtimeve të thella politike mbi kushtet e divorcit.

Ende nuk dihet saktë se kur do të ndodhë, edhe pse 31 janari është caktuar si datë e mundshme.

Udhëheqësi i Partisë opozitare Laburiste, Jeremy Corbyn, nuk pajtohet me qëndrimin e Johnsonit se Brexit-i duhet të kryhet me ose pa marrëveshje.