Votohet procesi për shkarkimin e Trump
Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar me shumicë votash pro procesit për shkarkimin e presidentit Trump.
Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan u mbajtën diskutimet gjashtëorëshe të akuzave për shkarkim ndaj Presidentit Donald Trump. Kjo e bën atë presidentin e tretë në historinë e vendit që do të përballet me një gjykim në Senat. Trump akuzohet për abuzim me detyrën për shkak të përpjekjeve të dyshuara për t’i bërë presion Ukrainës që të ndërhynte në zgjedhjet amerikane të 2020-s si dhe për pengim të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje. Gjatë kohës kur mbahej votimi, Trump ishte duke mbajtur një fjalim gjatë një tubimi fushate në shtetin e Miçiganit. Ngritja zyrtarisht e akuzave pritet të marrë miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve në kushtet kur demokratët e kontrollojnë atë, por me kundërshtimin e pakicës republikane. Më pas çështja i kalon për gjykim Senatit, proces ky që pritet të nisë në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit do të nevojiteshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit ndaj dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë në kushtet kur Senati kontrollohet nga republikanët. Votimit në Dhomën e Përfaqësuesve presidenti Trump i parapriu me një seri postimesh në Twitter. Ai kritikoi hetimet kundër tij dhe përsëriti se nuk ka bërë asgjë shkelje dhe nuk është i shqetësuar. Presidenti i ka dërguar gjithashtu dhe një letër prej gjashtë faqesh kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ku thuhej ndër të tjera se janë demokratët dhe ajo vetë që kanë kryer shkeljet e pretenduara.