Qeveria libiane zyrtarisht kërkon mbështetjen ushtarake të Turqisë
(last modified Fri, 27 Dec 2019 07:32:29 GMT )
Dhjetor 27, 2019 08:32 Europe/Tirane
  • Qeveria libiane zyrtarisht kërkon mbështetjen ushtarake të Turqisë

Qeveria libiane me qendër në Tripoli, zyrtarisht i ka kërkuar Turqisë mbështetje ushtarake me vendosjen e forcave tokësore, ajrore dhe detare.

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (QPK) si përfaqësues legjitim i Libisë, Fathi Bashagha, ka njoftuar se për të kundërshtuar forcat mercenare të Khalifa Haftarit, i cili u ka hapur baza ajrore shteteve të huaja, do të kërkojë zyrtarisht mbështetje ushtarake nga Turqia. Në një konferencë për media në kryeqytetin Tunis të Tunizisë, Bashagha theksoi se gjenerali puçist, Haftar, i ka dhënë bazë ushtarake Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shtuar se luftëtarë të huaj, pjesëtarë të kompanisë ruse të sigurisë Wagner, milicët Janjaëeed dhe rebelët nga Çadi luftojnë së bashku në front. "Do të kërkojmë zyrtarisht mbështetje ushtarake nga Turqia, për të kundërshtuar forcat mercenare të Haftar-it, i cili u ka hapur baza ajrore shteteve të huaja", tha Bashagha. Ai rikujtoi se Libia ka një qeveri legjitime e cila njihet ndërkombëtarisht, duke theksuar se te komuniteti ndërkombëtar kjo është e vetmja qeveri përfaqësuese. "Në bashkëpunim me Turqinë, Tunizinë dhe Algjerinë do të jemi brenda një aleance që i shërben sigurisë dhe stabilitetit tonë", u shpreh Bashagha. Bashagha shtoi se mirëpresin një iniciativë që do të zhvillohet nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe që do të përfshijë të gjithë libianët. më herët, presidenti Erdoğan tha se një mocion për të zgjatur mbështetjen ushtarake ndaj “qeverisë së ligjshme” të Libisë në Tripoli do të paraqitet në parlamentin turk më 8 ose 9 janar. Më 27 nëntor, QPK-ja dhe Ankara nënshkruan dy marrëveshje të ndara, njëra mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetra mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor. Që nga rrëzimi i liderit Muammar Gaddafi në vitin 2011 në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, një në Libinë lindore e cila mbështet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara dhe tjetra është QPK-ja në kryeqytetin Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erodğan, akuzoi disa vende evropiane dhe arabe për përkrahjen ndaj komandantit puçist me bazë në Libinë Lindore, Khalifa Haftar dhe tha se Turqia është ftuar nga qeveria legjitime e Libisë. Këto komente Erodğan i bëri në një takim të krerëve të provincave të Turqisë në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në kryeqytetin turk Ankara. Turqia do t'ia japë të gjitha llojet e mbështetjes qeverisë së Tripolit që po lufton Haftarin, tha presidenti Erdoğan. "Ata po ndihmojnë një baron lufte, kurse ne po i përgjigjemi ftesës së qeverisë legjitime të Libisë. Ky është dallimi", shtoi Erdoğan. Në lidhje me marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak midis Turqisë dhe Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (QPK) të Libisë të nënshkruar më 27 nëntor, Erdoğan tha se mocioni për dërgimin e trupave në Libi do të vendoset në rend dite në parlamentin turk sapo ky institucion të hapet pas pushimit. "Ne kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit dhe po përmbyllim Marrëveshjen e Sigurisë dhe Bashkëpunimit Ushtarak. Shpresoj se do ta ratifikojmë atë në parlamentin tonë më 8 ose 9 janar, dhe kështu do t'i përgjigjemi ftesës (së Libisë)", deklaroi ai.


 

Tags