Trump premton sanksione të reja ndaj Iranit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një fjalimi i është adresuar popullit amerikan, për herë të parë pas sulmeve të mbrëmshme raketore iraniane kundër bazave ushtarake në Irak, ku janë të stacionuara trupat amerikane.
Ai me këtë rast ka pretenduar se ka pasur dëme materiale në bazat ushtarake të goditura nga raketat iraniane, por jo edhe viktima apo të plagosur në radhët e amerikanëve. “Forcat amerikane janë të përgatitura për të gjithë. Nuk ka jetë të humbura për shkak të sistemit të hershëm të paralajmërimit i cili punon shumë mirë”, u shpreh ai. “Shtetet e Bashkuara menjëherë do të vendosin sanksione shtesë ndëshkuese ekonomike ndaj regjimit iranian”, tha Trump. Presidenti amerikan, po ashtu ka folur edhe për naftën që është në Lindjen e Mesme, duke thënë se SHBA nuk ka nevojë për naftën e tyre. “Ne tani jemi prodhuesi numër një i naftës dhe gazit natyror kudo në botë. Ne jemi të pavarur dhe nuk kemi nevojë për naftë në Lindjen e Mesme”, tha Trump.