Erdogan: Turqia do t'i "japë një mësim" komandantit rebel të Libisë
(last modified Tue, 14 Jan 2020 19:31:29 GMT )
Janar 14, 2020 20:31 Europe/Tirane
  • Erdogan: Turqia do t'i

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia do t'i "japë një mësim" komandantit rebel të Libisë Khalifa Haftar nëse ai rifillon ofensivën e tij kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Libisë pas tërheqjes nga bisedimet e armëpushimit në Moskë.

Erdogan e bëri kërcënimin të martën në një takim të partisë së tij në Ankara, duke e quajtur kreun e forcave rebele në Libi një "puçist". "Ne nuk do të hezitojmë t'i japim një mësim të merituar puçistit Haftar nëse ai vazhdon sulmet e tij ndaj administratës legjitime të vendit dhe vëllezërve tanë në Libi," tha presidenti turk. "Përkundër kësaj, ne konsiderojmë se bisedimet në Moskë ishin pozitive pasi ato treguan fytyrën e vërtetë të puçistit Haftar para bashkësisë ndërkombëtare", shtoi Erdogan. Gjenerali i Libisë, Khalifa Haftar, forcat e të cilit po luftojnë qeverinë e mbështetur nga OKB në kryeqytetin Tripoli, ka lënë bisedimet në Moskë pa nënshkruar asnjë marrëveshje. Rusia, e cila mbështet gjeneralin Haftar dhe Turqia, e cila mbështet GNA, ishin prapa përpjekjeve për të arritur një armëpushim. Marrëveshja kishte për qëllim t’i jepte fund nëntë muaj luftimeve rreth kryeqytetit. Ndërkohë, Gjeneral Haftar është mbështetur edhe nga Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania, duke ngritur frikën se Libia e pasur me naftë mund të bëhet “teatri i një konflikti rajonal”.

 

 

Tags