Përplasje të forta në Senat
https://parstoday.ir/sq/news/world-i94218-përplasje_të_forta_në_senat
Senati amerikan miratoi një seri rregullash bazë për gjyqin e shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump pas gati 13 orësh debati të egër në ditën e parë të shqyrtimit të çështjes.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 22, 2020 16:33 Europe/Tirane
  • Përplasje të forta në Senat

Senati amerikan miratoi një seri rregullash bazë për gjyqin e shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump pas gati 13 orësh debati të egër në ditën e parë të shqyrtimit të çështjes.

Prokurorët demokratë u përplasën ashpër me  avokatët e Trumpit për procesin, ndërsa republikanët kundërshtuan kërkesat e tyre për më shumë dëshmitarë. Gjyqi rinis sot me argumente nga prokuroria, për të vazhduar më pas me mbrojtjen dhe më tej, pyetjet. Trumpi është presidenti i tretë amerikan që i nënshtrohet një gjyqi për shkarkim. Ai akuzohet për shpërdorim pushteti dhe pengim të hetimit të kongresit. Presidenti mohon të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar. Një nga hapat e para të procesit në senatin me shumicë republikane është votimi i programit të propozuar nga udhëheqësi Mitch McConnell për gjyqin. Rezoluta e senatorit McConnell do t’u jepte ligjvënësve demokratë që do të jenë në rolin e prokurorëve si edhe ekipit ligjor të Presidentit Trump nga 24 orë gjatë dy ditëve të ardhshme për të paraqitur argumentet e tyre. Senatin e udhëheqin republikanët. Të dyja partitë kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me procedurat që duhet ndjekur gjatë gjykimit të presidentit. Demokratët kanë kërkuar që në sallë të paraqiten edhe dëshmitarë përderisa republikanët kanë kundërshtuar. Vetë Trump tha se do të preferonte një gjykim të gjatë - me dëshmitarë - por që ekzistojnë disa çështje të sigurisë kombëtare. McConnell dhe republikanët e kanë bërë të qartë se duan që gjyqi të mbarojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë me shpalljen e Trumpit të pafajshëm.