Paralajmërimi serioz i Kinës për SHBA-të
I gjithë planeti është përqendruar këto ditë në koronavirusin që u shfaq në Kinë dhe që është përhapur në vendet e tjera të botës; e megjithatë, amerikanët dërguan një luftanije në ujërat territoriale të Kinës, duke shkaktuar një paralajmërim serioz nga Pekini.
Ushtria kineze të shtunën konstatoi se një luftanije amerikane po hynte në ujërat territoriale kineze pa paralajmërim dhe e detyroi atë të largohej, tha të martën kolonel Li Huamin, zëdhënës i Komandës së Zonës Jugore, një nga pesë zonat ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit. "Si përgjigje, Ushtria kineze udhëzoi forcat detare dhe ajrore të gjurmojnë, identifikojnë dhe paralajmërojnë luftanijet e huaja" tha Li, i cituar nga kanali televiziv kinez CGTN. "Ushtria kineze është e vendosur të ruajë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare dhe të ruajë paqen dhe stabilitetin në Detin e Kinës së Jugut, pavarësisht nga planet e zbatuara nga luftanijet amerikane," shtoi zëdhënësi. Më shumë se një herë, Pekini ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër veprimeve provokative në ngushticën e Tajvanit dhe në Detin e Kinës së Jugut që i konsideron si pjesë integrale e territorit të saj, çka megjithatë nuk i ka penguar amerikanët të vazhdojnë veprimet e tyre atje.