Shtohet numri i të prekurve nga koronavirusi
Numri i rasteve me koronavirus në të gjithë botën ka tejkaluar atë të epidemisë së Sarsit, e cila u përhap në shumë vende në 2003.
Kishte rreth 8,100 raste të Sarsit, sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes, raportuar gjatë shpërthimit tetë-mujor. Por gati 10,000 raste të virusit të ri janë konfirmuar, shumica në Kinë, pasi ai u shfaq në dhjetor. Më shumë se 100 raste janë raportuar jashtë Kinës, në 22 vende. Numri i vdekjeve deri më tani është 259 - të gjitha në Kinë. Në total, 774 njerëz u vranë nga Sarsi. Të enjten, Organizata Botërore e Shëndetit shpalli një emergjencë globale shëndetësore mbi shpërthimin e ri. Mbretëria e Bashkuar të premten konfirmoi dy rastet e para të virusit. Vlerësimet nga Universiteti i Hong Kongut sugjerojnë se numri i vërtetë i rasteve mund të jetë shumë më i lartë nga sa raportohet zyrtarisht. Bazuar në modelet matematikore të shpërthimit, ekspertët atje thonë se më shumë se 75,000 njerëz mund të jenë infektuar vetëm në qytetin kinez Wuhan, vend nga i cili buroi virusi. Shumica e rasteve jashtë Kinës janë te njerëzit që kanë qenë në Wuhan. Por Gjermania, Japonia, Vietnami, Shtetet e Bashkuara, Tajlanda dhe Koreja e Jugut kanë raportuar për pacientë të infektuar nga njerëz që kishin udhëtuar për në Kinë. Shefi i Partisë Komuniste të Wuhan tha të premten qyteti duhej të kishte marrë masa më shpejt për të parandaluar virusin. "Nëse masa të rrepta kontrolli do të ishin marrë më herët, rezultati do të ishte më i mirë se tani," i tha Ma Guoqiang transmetuesit shtetëror CCTV.