Raab: Britania nuk do të ndjekë rregullat e BE-së
(last modified Sun, 02 Feb 2020 19:35:37 GMT )
Shkurt 02, 2020 20:35 Europe/Tirane
  • Raab: Britania nuk do të ndjekë rregullat e BE-së

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka përcaktuar një strategji të ashpër të negociatave mbi bisedimet e ardhshme tregtare me Bashkimin Evropian. Raab tha se çdo sugjerim që Mbretëria e Bashkuar do të duhet të ndjekë rregullat dhe ligjet e Bashkimit Evropian pas vitit 2021 "thjesht nuk do ndodhë".

"Ne nuk do të jemi në përputhje me rregullat e BE-së, kjo nuk është në tryezën e bisedimeve, nuk është as çështje e linjave të kuqe, madje nuk është as në dhomën e bisedimeve", tha Raab për BBC. Qëndrimi i ashpër i Raab për këtë çështje vjen para fjalimit të nesërm të Kryeministrit, Boris Johnson në të cilin ai pritet të paralajmërojë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të pranojë asnjë shtrirje dhe asnjë juridiksion nga gjykatat evropiane. Johnson pritet t'u thotë udhëheqësve të BE-së se qeveria britanike është e gatshme të pranojë kontrolle doganore në kufijtë e Britanisë, nëse ai nuk mund të sigurojë një marrëveshje të favorshme tregtare. Britania dhe BE kanë afat deri në 31 dhjetor 2020, për të arritur një marrëveshje tregtare. Deri atëherë Britania mbetet në mënyrë efektive si në bashkimin doganor të BE, ashtu edhe në tregun e përbashkët evropian. Qëndrimi i ashpër i qeverisë britanike që në fillim të bisedimeve ka shkaktuar një përgjigje të ashpër nga liderët e BE. Nëse nuk arrijmë marrëveshje me Britaninë e Madhe në fund të 2020-s, negociatat mund të vazhdojnë, tha për Deutsche Wellen, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ajo shtoi: Nëse në fund të vitit kemi këtë rast, atëherë ne jemi të përgatitur, sepse problemet më të vështira për ne janë rregulluar me marrëveshjen e daljes nga BE. Të drejtat qytetare, çështjet financiare dhe problemi i ishullit irlandez. Këto janë të sqaruara. Dhe ne jemi të kënaqur. Tani jemi ne në një pozicion fillestar më të fortë në negociata. Nëse në fund të vitit do të ketë një Brexit të ashpër, do të jetë e vështirë, Mbretëria e Bashkuar eksporton gjysmën e prodhimeve të saj në BE. Do të jenë bisedime të drejta, të ashpra, dhe të shpejta. Vërtet, Britania e Madhe donte të ishte një vend i tretë, tani duhet të përcaktojmë, se sa pranë do t'i qëndrojnë ata tregut të përbashkët europian. Sa më shumë të lidhur ngushtë duan të jenë ata, aq më shumë duhet të ndjekin edhe rregullat e këtij tregu. Pra është pak a shumë zgjedhja e tyre, nëse ata duan të qëndrojnë larg, atëherë qasja në tregun e brendshëm do të jetë më e vështirë, ose e kundërta".

 

Tags