Pelosi: Trump vazhdon të jetë kërcënim për demokracinë
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Amerikë, pas shfajësimit të Trump në Senat deklaroi se presidenti amerikan vazhdon të jetë kërcënim për demokracinë.
Me gjithë shfajësimin e tij nga Senati, Trump vazhdon të jetë kërcënim për demokracinë ka deklaruar Nancy Pelosi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u lirua nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, të cilat përbëjnë bazë për shkarkim nga detyra. Senati i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga Partia Republikane e presidentit, votoi të mërkurën për shfajësimin e tij. Votimi u zhvillua veç e veç për të dyja akuzat. Për akuzën e parë - abuzim të pushtetit - 52 senatorë votuan për shfajësimin e presidentit, ndërsa 48 për fajësimin e tij. Ndërkaq, për akuzën e dytë - pengim të punës së Kongresit - 53 vota ishin për shfajësim, 47 për fajësim. Për shkarkimin e presidentit nga detyra do të duheshin dy të tretat e votave të Senatit prej 100 anëtarësh.