Rusia kritikon politikat e SHBA ndaj Venezuelës
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka dënuar Shtetet e Bashkuara për kërkimin e "ndryshimit të regjimit" në Venezuelë duke vendosur sanksione ndaj gjigantit shtetëror të energjisë Petroleos de Venezuela SA (PDVSA), duke mbështetur liderin e opozitës Juan Guaido dhe duke u përpjekur për të krijuar një pretekst për ndërhyrjen ushtarake atje.
"Ne nuk kemi sjellë ndonjë propozim të çfarëdo lloji; ne i respektojmë partnerët tanë. Ju e filluat pyetjen tuaj me çështjen nëse Rusia mund të pajtohej me kushtet për heqjen e Presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro. Ne jemi përtej kësaj. Bashkimi Evropian ka qenë duke formuar dhe zhvilluar nisma me Grupin Lima, dhe ne nuk i konsiderojmë këto nisma të dobishme. Ne flasim për nevojën e dialogut kombëtar pa asnjë parakusht. Ne e ndajmë këtë iniciativë dhe qasje me Meksikën. Partnerët tanë perëndimorë gjithashtu mendojnë se dialogu është i nevojshëm, por me objektiv adresimin e kritereve për ndryshimin e regjimit, dhe unë mendoj se ky nuk është ndërmjetësim, por më tepër imponim i modeleve të huaja. Ne dëgjojmë thirrje nga Uashingtoni se nuk ka mundësi tjetër, përveç ndryshimit të presidentit", u tha Lavrov gazetarëve të enjten gjatë një vizite në Meksikë. Ministri i jashtëm rus shtoi se Uashingtoni po "kërcënonte se të gjitha opsionet janë në tryezë" dhe duke nxitur "provokime" kundër qeverisë Maduro. "Ne shohim përpjekje të tilla që synojnë gjetjen e një preteksti për një ndërhyrje ushtarake," u citua Lavrov nga agjensia e lajmeve e Rusisë Tass.