Erdogan: Ofensiva turke në Idlib, vetëm çështje kohe
Turqia ka kërcënuar të fillojë një operacion "të menjëhershëm" në Provincën Idlib të Sirisë nëse Damasku nuk tërhiqet nga pozicionet ushtarake të Ankarasë.
"Ashtu si operacionet tona të mëparshme, ne themi se operacioni ynë mund të ndodhë papritur një natë," tha Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke ju referuar tre hyrjeve ndërkufitare që vendi i tij ka kryer deri tani në veri të Sirisë. Duke folur në një takim të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet, të mërkurën në Ankara, Erdogan theksoi se Turqia ishte e vendosur ta bënte Idlibin një zonë të sigurt "pa marrë parasysh koston". Ai gjithashtu vuri në dukje se disa raunde bisedimesh midis Ankarasë dhe Moskës për situatën në Idlib nuk kishin arritur "rezultatet e dëshiruara". "Bisedimet do të vazhdojnë, por është e vërtetë që ne jemi larg nga përmbushja e kërkesave tona në tryezën e bisedimeve," tha Erdogan. "Turqia ka bërë çdo përgatitje për të realizuar planet e veta operative. Unë them që mund të arrijmë në çdo pikë. Me fjalë të tjera, ofensiva në Idlib është vetëm çështje kohe. ""Një operacion në Idlib është i afërt. Ne po përgatitemi dhe po bëjmë paralajmërimet tona përfundimtare", shtoi ai.