Sanders i quan pushtetarët e Arabisë Saudite "banditë vrasës"
Senatori amerikan Bernie Sanders, kandidati kryesor presidencial i Partisë Demokrate, gjatë një mitingu elektoral ka dënuar regjimin e Arabisë Saudite, duke i quajtur udhëheqësit e këtij vendi "banditë vrasës".
"Për vite me radhë, ne e kemi dashur Arabinë Saudite - aleatin tonë të mrekullueshëm, por problemi i vetëm është se njerëzit që drejtojnë atë vend janë banditë vrasës," tha Sanders, sipas Middle East Eye. Senatori i Vermontit e përshkroi Princin e Kurorës së Arabisë Saudite Muhamed bin Salman si një " miliarder diktator ". Senatori përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të injorojnë nevojat e palestinezëve dhe kritikoi "qeverinë raciste të krahut të djathtë që aktualisht ekziston në Izrael". Sanders bëri deklarata të ngjashme gjatë një debati presidencial në dhjetor, kur ai e quajti kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu një "racist" dhe tha se politika e jashtme e SHBA-së nuk mund të jetë vetëm pro-Izraelit, por gjithashtu duhet të jetë edhe "pro-Palestinës". Sanders ka qenë gjithashtu një kritik i pamëshirshëm i Presidentit Donald Trump, duke e cilësuar vazhdimisht atë "një gënjeshtar" dhe "presidentin më të rrezikshëm" në historinë e SHBA.