Pompeo në Riad
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, po viziton Arabinë Saudite për bisedime me Mbretin Salman dhe djalin e tij, Princin e Kurorës, Muhamed bin Salman si dhe ministrin e Jashtëm, Faisal bin Farhan, thanë zyrtarët e Departamentit të Shtetit.
“Ne do të kalojmë shumë kohë duke folur për çështjet e sigurisë dhe në veçanti për kërcënimin nga Republika Islamike e Iranit”, u tha Pompeo gazetarëve në kryeqytetin e Etiopisë, para se të nisej për në Riad,. Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme për të biseduar në çdo kohë” me Iranin, por theksoi se regjimi iranian “duhet të ndryshojë rrënjësisht sjelljen e tij”. “Fushata e presionit vazhdon. Nuk është vetëm një fushatë e presionit ekonomik, por edhe e izolimit diplomatik”, tha ai. Pompeo udhëton në Arabinë Saudite, në një kohë që raportet e fundit sugjerojnë se Uashingtoni po përpiqet të parandalojë një afrim të Riadit me Teheranin. Në një raport, New York Times zbuloi se zyrtarët amerikanë vranë gjeneralin e lartë iranian Kasem Suleimani për të parandaluar Riadin të afrohej me Teheranin. Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili mban lidhje të ngushta me Arabinë Saudite, në vitin 2018 u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe vendosi sanksione gjithëpërfshirëse që synojnë të zvogëlojnë ndikimin rajonal të Teheranit.