Vdesin 2 pacientë të kroçerës "Princess Diamond"
(last modified Thu, 20 Feb 2020 12:23:40 GMT )
Shkurt 20, 2020 13:23 Europe/Tirane
  •  Vdesin 2 pacientë të kroçerës

Dy pasagjerë të moshuar japonezë janë viktimat e para të koronavirusit të ri që u përhap në kroçerën "Princess Diamond" në brigjet e Japonisë.

Pacientët 80-vjeçarë kishin bartur infeksionin dhe po kuroheshin në spital, por për shkak të moshës së thyer dhe sëmundjeve të vjetra nuk i mbijetuan dot epidemisë vdekjeprurëse.

Personat ishin pjesë e bordit të anijes turistike së bashku me 3,700 mijëra pasagjerë.

Qindra të tjerë u lanë të lirë të mërkurën t'i bashkohen komunitetit vendës pasi kanë dalë të painfektuar, ndërsa një pjesë e të huajve janë riatdhesuar nga shtetet e tyre për t'iu nënshtruar një tjetër karantine dyjavore.

Të enjten, virusi humbi forcën e tij infektuese në Kinë, ku u raportuan vetëm 349 raste të reja nga disa mijëra në ditët më parë, ndërsa numri i të ndarëve nga jeta me sëmundjen arriti mbi 2,100.

Kriza epidemike u zhvendos në Korenë e Jugut ku numri i të infektuarve u rrit me 31 brenda ditës, për shkak të një personi bartës të virusit që mësohet se kishte marrë pjesë në një shërbesë fetare.

Raste të reja dhe të paktën dy vdekje u raportuan për herë të parë edhe në Lindjen e Mesme, në Iran.

Ndërkohë, prej frikës së përhapjes së infeksionit dhjetëra banorë ukrainas protestuan mbërritjen e një avioni me të evakuar nga provincat kineze.

Qindra policë u aktivizuan të shpërndajnë protestuesit që bllokonin rrugën e pacientëve drejt sanatoriumit, ku ata do të mbahen në karantinë për dy javët e ardhshme.

Tags