Idlib; Ora e së vërtetës për Erdoganin
https://parstoday.ir/sq/news/world-i95152-idlib_ora_e_së_vërtetës_për_erdoganin
Sipas disa burimeve, të paktën 37 ushtarë turq u vranë dhe mbi 40 u plagosën të enjten, 27 shkurt, në rajonin Hatay, që ndodhet në Idlib në veriperëndim të Sirisë.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Shkurt 28, 2020 18:10 Europe/Tirane
  • Idlib; Ora e së vërtetës për Erdoganin

Sipas disa burimeve, të paktën 37 ushtarë turq u vranë dhe mbi 40 u plagosën të enjten, 27 shkurt, në rajonin Hatay, që ndodhet në Idlib në veriperëndim të Sirisë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka mbledhur një këshill të jashtëzakonshëm sigurie në Ankara. Sipas kanalit libanez të lajmeve, Al-Mayadeen, këta ushtarë u vranë në një sulm ajror pranë fshatit al-Bara, në Xhabal al-Zavija, në periferi të provincës Idlib. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Mark Esper dhe Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar folën të enjten me telefon ku diskutuan mbi sulmin e ushtrisë siriane në Idlib. Sipas kanalit libanez të lajmeve, katër helikopterë të ushtrisë turke hynë në hapësirën ajrore siriane për të transportuar kufomat e ushtarëve të vrarë dhe të plagosur. Duke cituar Guvernatorin e Hatay, agjensia turke e lajmeve, Anadolu raportoi se 37 ushtarë u vranë në një sulm nga avionët e ushtrisë siriane. Burime të tjera raportuan se sulmi u krye nga Rusia. Korrespondentja për kanalin amerikan të lajmeve, CBS, raportoi se sulmi ndaj trupave turke në Idlib u krye nga Rusia dhe se numri i vdekjeve mund të rritet në rreth 50. Uashingtoni më parë i kishte bërë thirrje Turqisë, të nxirrte mësime dhe të braktiste sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400. "Ata po e shohin Rusinë ashtu siç është në të vërtetë, ata po shohin se çfarë po bën tani Rusia duke sulmuar ushtarët turq, prandaj kjo masakër duhet të marrë përparësi ndaj çdo gjëje që mund të bashkojë Turqinë dhe Rusinë", tha Ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison. "Shpresoj që Turqia të heqë dorë nga blerja e sistemeve të Rusisë S-400," tha ajo. Ndërkohë, Turqia ka vendosur që menjëherë të hapë kufirin e saj jug-perëndimor me Sirinë dhe të lejojë sirianët e zhvendosur të marrin rrugën e lirë për në Evropë, thanë burimet zyrtare turke për faqen e internetit Middle East Eye, me qendër në Londër. "Një zyrtar i lartë turk ka thënë se refugjatët sirianë që shkojnë drejt Evropës nuk do të ndalohen në tokë ose në det", mësohet nga i njëjti burim. Turqia po kufizon hyrjen e përdoruesve të internetit në hapësirën në internet pas raporteve për vdekjen dhe plagosjen e ushtarëve turq në Idlib. Burimet në Turqi thonë se ofruesit e shërbimeve të Internetit në Turqi kanë kufizuar qasjen në Twitter, Facebook, Instagram dhe në sajtin Ekşi Sozluk, një rrjet social turk. Ka raporte që mbrojtja ajrore siriane ka rrëzuar dy raketa të gjuajtura nga territori turk në bazën ajrore Hmeimim, në juglindje të qytetit Latakia, Siri, ku janë vendosur trupat ruse. Në një vendkalim kufitar sirian i ngritur në qytetin Kamishli në Hasake ushtria siriane ndaloi kalimin e 11 automjeteve ushtarake amerikane përpara se t'i detyronte ata të ktheheshin. Media njoftoi se banorët lokalë hodhën gurë në automjetet Humvee të trupave amerikane. Pas zhvillimeve dramatike të natës së kaluar në Idlib, Rusia deklaroi se trupat turke që u vranë në Idlib ndodheshin në mesin e terroristëve të al-Nusras dhe akuzoi Ankaranë për përkrahje të sulmeve të terroristëve kundër forcave siriane dhe ruse. Moska jo vetëm që nuk i uli tonet, por ka filluar dërgimin e trupave dhe armatimeve të tjera në Siri duke i "treguar dhëmbët" Erdoganit, i cili tashmë po përballet me pasojat e aventurave të tij neo-otomane. I pafuqishëm përballë Sirisë dhe Rusisë, sulltani i është drejtuar për ndihmë NATO-s dhe SHBA-së, dhe orët e ardhme do të jenë orët e së vërtetës për ëndrrat e "sulltanit".