Nënshkrimi i marrëveshjes me talebanët
(last modified Sun, 01 Mar 2020 07:39:59 GMT )
Mars 01, 2020 08:39 Europe/Tirane
  • Nënshkrimi i marrëveshjes me talebanët

Shtetet e Bashkuara dhe talebanët kanë nënshkruar marrëveshjen historike, që synon t’i japë fund një herë e mirë konfliktit në Afganistan. SHBA-ja është pajtuar të tërheqë trupat nga Afganistani brenda 14-muajsh, nëse militantët talibanë i përmbahen marrëveshjes. Aktualisht, në Afganistan janë 13 mijë trupa amerikane.

Talibanët nga ana tjetër janë zotuar të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë në Kabul. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe liderët talibanë, ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Doha të Katarit. “Ky është ende fillimi”, tha Pompeo para nënshkrimit të ujdisë. “Por ulja e konsiderueshme e dhunës do të krijojë kushte për paqe”, shtoi ai. Kreu i diplomacisë amerikane theksoi se afganët duhet të jetojnë në paqe dhe prosperitet dhe të respektojnë të drejtat e grave, ndërsa SHBA-ja duhet të sigurohet se nuk do të ketë kërcënim terrorist nga ky vend. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë ta anulojnë marrëveshjen, nëse talibanët nuk i përmbahen asaj. Nënshkrimi i marrëveshjes vjen një javë pasi forcat e udhëhequra nga Amerika dhe talibanët u pajtuan që të reduktonin dhunën. Pushtimi i Afganistanit nga Shtetet e Bashkuara ndodhi disa javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Pas ngjarjes që tronditi botën, presidenti i atëhershëm amerikan George Bush urdhëroi fushatën e bombardimeve dhe pushtimit të Afganistanit.

Tags