Akordi për Idlibin: Turqia pëson disfatë përballë supremacisë së aleatëve
(last modified Sat, 07 Mar 2020 07:01:53 GMT )
Mars 07, 2020 08:01 Europe/Tirane
  • Akordi për Idlibin: Turqia pëson disfatë përballë supremacisë së aleatëve

Turqia dhe Rusia kanë rënë dakord që duke filluar nga data 6 mars në ora 00:01, në linjën e kontaktit në zonën e de-eskalimit në Idlib të Sirisë veriperëndimore të ndalohen të gjitha aktivitetet ushtarake.

"Protokolli Shtesë i Marrëveshjes për Stabilizimin e Situatës në Zonën e De-eskealimit në Idlib" u lexua nga ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Rusisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Sergei Lavrov, pas konferencës së përbashkët të liderëve të dy vendeve, Recep Tayyip Erdoğan dhe Vladimir Putin, në Moskë. Sipas marrëveshjes së re, dy vendet riafirmuan angazhimet e forta për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, bazuar edhe në marrëveshjen e 4 majit të vitit 2017 për Formimin e Zonave të Deeskalimit në Siri dhe atë të 17 shtatorit të vitit 2018 për Stabilizimin e Situatës në Zonën e Deeskalimit në Idlib. Palët kanë përsëritur vendosmërinë për të luftuar të gjitha manifestimet e terrorizmit dhe për të eliminuar të gjitha grupet që cilësohen si terroriste nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke theksuar se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Dy vendet po ashtu kanë nënvizuar se zgjidhja për krizën në Siri nuk mund të jetë ushtarake dhe se ajo mund të marrë fund vetëm nën kryesimin e sirianëve, me lehtësim të OKB-së dhe në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Palët kanë theksuar rëndësinë e parandalimit të përkeqësimit të krizës humanitare, mbrojtjes së civilëve, sigurimit të mbrojtjes dhe ndihmës humanitare për të gjithë sirianët në nevojë, pa kushte dhe diskriminime, dhe parandalimit të zhvendosjes së brendshme dhe kthimit të refugjatëve dhe njerëzve të zhvendosur brenda vendit në vendbanimet e tyre. Sipas marrëveshjes, një korridor sigurie do të formohet me thellësi 6 kilometra në veri dhe 6 kilometra në jug të autostradës M4. Ndërkaq, rregullat dhe procedurat e hollësishme në lidhje me operimin e korridorit do të vendosen brenda shtatë ditëve nga ministritë e mbrojtjes së Republikës së Turqisë dhe Federatës Ruse. "Patrullat e përbashkëta ruso-turke do të fillojnë më 15 mars 2020 përgjatë pjesës së autostradës M4 nga Trumba (2 kilometra në perëndim të Serakibit) deri në Ain al-Havr", thuhet në dokumentin e akorduar midis dy vendeve. Armëpushimi në provincën Idlib në veri të Sirisë ka filluar të zbatohet që nga e premtja në mëngjes sipas marrëveshjes së arritur mes Rusisë dhe Turqisë. Moska dhe Ankaraja kanë theksuar interesimin e vazhdimit të bashkëpunimeve në kuadër të procesit të Astanas në lidhje me krizën në Siri dhe kanë rënë dakord që për mbikëqyrjen e rajoneve të reduktimit të tensioneve, të zhvillojnë patrullime të përbashkëta në qyteza në afërsi me Idlibin. Është përgjegjësi e Forcave të Armatosura Siriane të zhdukin militantët dhe terroristët që veprojnë në Siri, deklaroi sot  zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse. "Unë do të doja të theksoja pa iu referuar bisedimeve të djeshme [midis Presidentit Vladimir Putin të Rusisë dhe homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan] se sa i përket përpjekjeve për të eliminuar militantët dhe terroristët, nëse përcaktohen si të tillë, ata duhet të zhduken , para së gjithash, nga Forcat e Armatosura Siriane dhe forcat e vendeve që bashkëpunojnë ligjërisht me autoritetet siriane", tha të premten Maria Zakharova në një konferencë shtypi në kryeqytetin rus Moskë.