Di Maio: Nuk do të harrojmë kush diskriminoi italianët
Bota u ka mbyllur dyert italianëve për shkak të frikës së përhapjes së koronavirusit.
Përballë kësaj situate ka reaguar ashpër Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio. Në një postim në facebook ai thotë se Italia nuk do ta harrojë kurrë diskriminimin që po u bëhet qytetarëve të saj. "Ka anije lundrimi që drejtohen në porte të tjera vetëm sepse kanë italianë në bord dhe bashkatdhetarëve tanë nuk u lejohet të hyjnë në shërbime të caktuara nga persona privatë, vetëm sepse janë italianë. Italia do të dalë nga kjo krizë, sepse Italianët janë një popull i shkëlqyeshëm. Dhe përveç që kemi një vullnet të madh, do të kemi kujtime të mira për ata që kanë qenë pranë nesh në këtë moment. Do t'i kujtojmë ata që ishin miq me italianët në këtë fazë ". Edhe pse shifrat e përhapjes së koronavirusit në Itali, një nga tre vendet më të prekura në Europë, janë alarmante, Di Maio thotë se fakti se 523 qytetarë janë shëruar është shumë pozitiv. "Në këto ditë, në media numri i rasteve të reja me koronavirus është kryefjalë. Por ka një të dhënë tjetër që meriton më shumë vëmendje: 523. Këta janë njerëzit që janë rikuperuar deri më sot, një numër në rritje që duhet të transmetojë forcë dhe shpresë tek ne". Luigi Di Maio nënvizon se shteti italian po punon me të gjitha forcat për të ndihmuar qytetarët.